Kadaj-Bujupi lë të hapur mundësinë e moskandimit për deputete: Do të dal me vendim

Prishtinë | 29 Dhj 2020 | 15:47 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, pritet të marrë një vendim të ri për pozicionin e saj në zgjedhjet e reja. Por këtë ajo thotë se do ta bëjë pas konsultimit me personat që i qëndruan besnikë ndër vite, teksa e lë si opsion të hapur edhe moskandimin e saj si deputete për mandatin e gjashtë.

Në një bisedë ekskluzive për Gazetën Express, depuetja e pesë legjislaturave në Kuvendin e Kosovës, thotë se për vendimin e ri do të dal me një qëndrim publik gjatë ditëve në vijim si dhe thekson se pjesëmarrja në zgjedhje nuk është e domosdoshme.

“Vendimin për zgjedhjet e radhës do ta marrë pas konsultimit me të gjithë ata që në këto vite ishin me mua e të cilët nuk më braktisën dhe besuan edhe kur i linçuan dhe dëmtuan edhe brenda llojit. Andaj në ditët në vijim do t’iu njoftoj ju dhe opinionin të cilëve u kam borxh dhe u përulem për këto vite besimi e përkrahje!…Për mua pjesëmarrja në jetën publike është shumë e rëndësishme por kjo nuk do të thotë që pjesëmarrja në zgjedhje është e domosdoshme”, tha Kadaj-Bujupi për Gazetën Express.

Tutje, deputetja Kadaj-Bujupi shton se rrugëtimin politik e ka nisur prej bëzës dhe ka arritur të bëhet deputete falë besimit të qytetarëve.

“Rrugëtimi im politik ka filluar prej baze. Kështu ka qenë edhe ecja ime, domethënë, në politikë kam qëndruar sepse kështu kanë vendosur qytetarët – falë besimit të tyre…Në pesë legjislatura jam zgjedhur deputete dhe me aq sa kam pasur mundësi dhe dije kam përfaqësuar interesat e qytetetarëve dhe të vendit. Gjatë rrugës kam pasur sfida si shumica prej grave në politike, por kjo s’më ka ndalur asnjëherë”, përfundoi Kadaj-Bujupi.

Ndryshe, deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se nga 3 qershori, kur ishte votuar Qeveria Hoti, është përjashtuar nga pjesëmarrja në diskutimet në parti, pasi që nuk votoi pro kësaj qeverie.

“Unë prej datës 3 qershor, kur është votuar Qeveria, nuk kam qenë e ftuar në takimet brenda subjektit politik, brenda Aleancës, pra në njëfarë forme jam përjashtuar nga vendimmarrja dhe diskutimet në të gjitha instancat”, ka pohuar vazhdimisht ajo.

Kadaj-Bujupi ka thënë se nuk ka besuar në Qeverinë Hoti prandaj nuk e ka votuar.

“Çdo deputet e ka të drejtën të votojë atë që beson. Unë nuk besova në Qeverinë Hoti dhe shfrytëzova të drejtën time demokratike”, ka deklaruar ajo.

Lidhur me përjashtimin e saj nga partia, Gazeta Express ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga shefi i GP-së së AAK-së, Daut Haradinaj, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.

AAK-ja në Qeverinë Hoti ka një zëvendëskryeministër dhe katër ministra. 

Të ngjashme