Kadaj-Bujupi tallet me spotin e VV-së: Mendova mos ndonjë fëmijë ia ka vjedhë passwordin

Prishtinë | 03 Tet 2022 | 22:59 | Nga Ekonomia Online

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se nuk ka mundur të besoj që Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar një video të tillë, ku etiketohen ish-krerët e shtetit si “shkatërrues” 20-vjeçarë.

Ajo ka ironizuar duket thënë se fillimisht kishte menduar që mos ndonjë fëmijë e ka publikuar videon.

“Njëherë m’shkoj mendja, naj fëmijë ia ka vjedh passwordin e ua ka postu. S’kesh tu mujtë me besu që një parti në pushtet me 50% e bënë një video të tillë dhe merret me liderët që janë në Hagë. Dhe e dyta, që me liderë që ata kanë qenë në koalicion dhe janë edhe sot në subjekte të ndryshme në koalicione, përfshi edhe PDK-në. Pra, qeverisin edhe me PDK’në”, deklaroi Kadaj-Bujupi në T7.

Kadaj-Bujupi, e cila nuk është larguar nga aktiviteti politik më herët ka qenë pjesë edhe e VV’së. Ajo thotë se ka qenë pjesë e zhvillimeve kur Kurti është ulur me Isa Mustafën, Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn për të qeverisur së bashku.

“Kam qenë pjesë e atyre zhvillimeve… edhe Isa Mustafa, edhe Ramush Haradinaj edhe Fatmir Limaj, janë ulur, duke bërë plane që të qeverisin së bashku. Atëherë nëse ata janë shkatërrues, si u ule me ta dhe bëre plan me bashkëqeveris”, ka thënë ajo.

Në videon e publikuar, VV shpërfaqet si parti që nuk ka bashkëpunuar me partitë opozitare, edhe pse ata gjatë kohës që ishin në opozitë kanë pasur bashkëpunime me të gjitha partitë politike, përveç me Partinë Demokratike të Kosovës.

Të ngjashme