Kadri Veseli: Njohja e Kosovës kusht për Serbinë për anëtarësim në BE, shkëmbimi i territoreve nuk është opsion

Prishtinë | 21 Tet 2018 | 16:10 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se shkëmbimi i territoreve nuk është opsion sa i përket bisedimeve Kosovë-Serbi, në kuadër të fazës finale të dialogut ku dhe po përmendet si ide e mundshme korrigjimi i kufijve.

Duke folur për agjencinë shtetërore gjermane të lajmeve DPA, Kryeparlamentari Veseli ka theksuar se pajtimi me Kosovën është për Serbinë kushti qëndror nëse dëshiron të afrohet dhe anëtarësohet në Bashkimin Europian, njofton Klan Kosova.

Veseli shpreson që pas tërheqjes së Bundeswherit gjerman nga Kampi më i madh i kësaj ushtrie në Prizren, në këtë qytet do të vijnë investitorë nga firmat gjermane.

”Caku im është që sa më shumë firma gjermane të vijnë në Kosovë dhe sa më pak kosovarë ta lëshojnë vendin. Për neve është e rëndësishme që të hapen vende pune në mënyrë që njerëzit tanë të qëndrojnë në vend”, ka thënë Veseli.

Kampi i deritashëm i Bundeswehrit është mbyllur pas 20 vitesh dhe në vend të tij po hapet Parku i Inovacionit dhe Mësimit Profesional.

Siç shkruan Deutsche Presse-Agentur, Gjermania është duke e përkrahur këtë projekt, ndërsa Veseli ka thënë se Kosova synon ”që në Ballkan të jetë vendi më atraktiv për investitorët”, njofton Klan Kosova.

Ekziston programi që investitorëve të huaj t’u jepet në dispozicion toka për shfrytëzim pa asnjë ngarkesë financiare.

Ai ka paralajmëruar pokështu heqjen e pengesave burokratike dhe lehtësimet tatimore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme