Kadrijaj: ZRRE ka paralajmëruar shumë herët rritje të çmimit të energjisë, qeveria është dashur të reagoj me kohë

Prishtinë | 24 Jan 2022 | 18:21 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e AAK’së, Time Kadrijaj ka kritikuar Qeverinë Kurti, e cila sipas saj nuk ka reaguar me kohë për krizën energjetike.

Ajo ka thënë se ZRRE shumë kohë më parë ka paralajmëruar rritje të çmimeve të energjisë elektrike, dhe se këtë çështje e kanë ngritur edhe si opozitë, por që sipas saj, Qeveria Kurti nuk ka reaguar me kohë.

“Komisioni për Ekonomi shumë herët e kanë ngritur këtë çështje, kur e kanë pasur në raportim zyrën e rregullatorit të energjisë ZRRE. Ata kanë paralajmëruar shumë herët që do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike, dhe ne si opozitë shumë herët e kemi ngritur këtë çështje që qeveria të reflektoj dhe shumë më mirë kish qenë që me kohë të reagoj qeveria dhe ne nuk do të kishim qenë në një gjendje të tillë kaotike dhe me kolaps energjetik”, ka deklaruar ajo.

Kadrijaj ka thënë se shtetet tjera të rajonit të cilat kanë marrë mëherët masa ndaj krizës energjetike, tashmë kanë furnizim të rregullt me energji, si dhe çmime të arsyeshme.

“Ne nuk po e mohojmë se është një krizë globale dhe po marrim shembujt edhe rajonit dhe vendet tjera, mirëpo ne po e shohim se sa me efikasitet kanë vepruar qeveritë e rajonit, edhe Qeveria e Shqipërisë, edhe qeveria e Maqedonisë dhe të gjitha qeveritë dhe po kanë edhe furnizim të rregullt me energji elektrike edhe i kanë çmimet e arsyeshme”, ka deklaruar ajo.

Tutje Kadrijaj ka thënë se ngritja e çmimeve do të rëndojë më shumë gjendjen ekonomike të qytetarëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme