Kafja e deputetëve 30 centë, supa 40, mishi 1.5 euro

Prishtinë | 04 Shk 2022 | 20:48 | Nga Ekonomia Online

Kryesuesit të Kuvendit të Kosovës, jo rrallë i bije t’i thërras për në seancë.

Shpesh, ata lirojnë seancën, e shkojnë në bufe.

Por, mbase me shumë arsye. Kjo meqë, ata për shpenzimet ditore, ku përfshihen pijet e ushqimi, marrin nga 5 euro në ditë pune, që nga 2011.

Për këtë kishte vendosur Kryesia e Kuvendit, që përbëhej nga shefi, Jakup Krasniqi, e anëtarët Xhavit Haliti, Glauk Konjufca, Sabri Hamiti, Etem Arifi e Petar Miletiç.

Në anën tjetër, në bufe, çmimet i kanë, fort të volitshme, krahasuar me ato të tregut.

Një kafe espresso, që rëndom kushton 50-70 cent, për deputetët, në Kuvend kushton 30 cent. Po kaq është edhe çaji filtër, që në një lokal tjetër shitet deri në 1 euro.

E makiato e madhe, për ta është 40 cent, ndonëse qytetarët paguajnë nga 1 euro.

Veç nga 20 cent u kushton kafe kapuqino e qumsht me çokollatë apo bambi.

E nëse është i uritur ndonjëri ligjvënës, me 40 cent, mund ta paguaj një supë viçi, e nëse nuk ia ka ënda këtë, mundet veç me 30 cent me pagu një supë pule.

Pas supës, shkon sallata 200 gramshe, ku deputetit i kushton 50 cent.

200 gramë djath-kaçkavall i kushton 40 cent.

E pjata kryesore, me 300 gram mishi në hell, kushton 1 euro e gjysmë. Kurse deputetët vegjetarian, mund të marrin 300 gram shpageta apo makarona për vetëm 80 cent.

E arsyet pse janë çmimet më të lira në bufen e Kuvendit, për Klanin e ka dhënë ekonomisti Remzi Smajli.

Grafikë: Remzi Smajli, profesor i ekonomisë

Shërbimet më të lira në restorantet e institucioneve publike janë nga fakti se: Në ofertat e tyre në procedurë prokurimi kanë ofruar çmime më të ulëta. Kanë klient konstantë gjatë tërë kohës. Shpenzime më të ulëta, sidomos në energji dhe qira”, shkruan Klan Kosova.

Klani, ka kuptuar që marrja e shërbimeve të bufesë, bëhet me tender, dhe ofertuesi më i lirë e fiton atë.

Por, e njëjta është mbyllur përkohësisht në fund të vitit 2021, pasi pati ankesa edhe për shërbim të ujit, të prodhuar nga Serbia.

Të ngjashme