Kalon edhe formalisht vendimi për emërimin e Lajçakut si Përfaqësues i Posaçëm për dialog

Prishtinë | 27 Mar 2020 | 15:14 | Nga Ekonomia Online

Me kalimin e orës 15:00 të së premtes, konsiderohet si formalisht i miratuar vendimi për emërimin e ish-ministrit të Jashtëm të Sllovakisë, Mirosloav Lajçak, si Përfaqësues i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe Ballkanin Perëndimor.

Ky vendim, është bërë me procedurë të shkruar për shkak të masave të kufizimit të lëvizjes dhe takimeve që janë në fuqi edhe në institucionet e BE-së si pasojë e rrezikut të përhapjes së coronavirusit.

Sipas procedurës me shkrim, vendimi konsiderohet si i miratuar nëse deri në afatin e caktuar paraprakisht asnjë shtet anëtar nuk paraqet kundërshtim. Ka një kohë që kur ishte e ditur se ky post është i rezervuar për Lajçakun, ndërsa procedura ka qenë vetëm formalitet i cili është dashur të përmbushet.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka shprehur kohëve të fundit rezerva për këtë emërim, por kundërshtimi nga Kosova, sipas burimeve në Bruksel, nuk ka qenë konsistent prandaj edhe nuk është marrë parasysh. Ka pasur edhe diplomatë të BE-së të cilët e kuptonin se nuk do të jetë shumë e përshtatshme që edhe Përfaqësuesi i Lartë, Josepp Borrell, e edhe Përfaqësuesi i Posaçëm tash për dialog, të jenë ish-ministra të vendeve që nuk e njohin Kosovën, raporton Koha.net.

Sipas mandatit që ka Lajçak, ai duhet të ndihmojë që BE-ja të flasë me një zë dhe të veprojë me unitet në rajonin e Ballkanit. Por kur ishin ministra, shtetet e tyre ishin ato që dallonin nga shumica e madhe e BE-së sa i përket statusit të Kosovës.

Burimeve diplomatike në selinë e BE-së në Bruksel, kanë sqaruar se me insistimin e disa shteteve, është sqaruar që Miroslçav Lajçak duhet ta ketë detyrë kryesore angazhimin në dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa detyrat tjera, rreth së cilave ka shfaqur interes në rajonin e Ballkanit, si pajtimi, diplomacia publike, vizibiliteti i BE-së dhe bashkëpunimit rajonal. Këto do të jenë angazhime plotësuese.

Pasi BE tashmë ka në Kosovë një Përfaqësuese të Posaçme, këto dy poste do të bashkëpunojnë në terren.

Qëllimi i BE-së është që përmes këtij procesi të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajçak është emëruar fillimisht në këtë detyrë për një mandat një-vjeçar, me zyrë në Bruksel dhe me në fond prej 1.2 milionë eurosh për shpenzime.

Për shkak të rrethanave të reja të papritura që ka shkaktuar coronavirusi si dhe votimi i mosbesimit për Qeverinë Kurti në Kosovë, askush as në BE në këtë moment nuk mund ta parashikojë se kur dhe në cilin format do të vazhdojë dialogu. Por thonë se së paku BE-ja tash do ta ketë personin i cili do të ketë këtë detyrë nga ana e Bashkimit Evropian.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme