Kampi ushtarak gjerman në Prizren kthehet në park inovativ, Gjermania kontribuon në zhvillimin ekonomik

Prishtinë | 04 Tet 2018 | 11:22 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur në takim delegacionin e lartë nga Qeveria Gjermane, kryesuar nga sekretari i Shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes, Thomas Richard Silberhorn dhe Maria Flachsbarth, sekretare e Shtetit në Ministrinë për Bashkëpunim Ekonomik.

Pas takimit, kryeministri Haradinaj ka thënë se është shumë e rëndësishme që vizita po ndodh në vigjilje të ditës së unifikimit të Gjermanisë, raporton Ekonomia Online.

Nga sot, kampi ushtarak gjerman në Prizren shndërrohet në park inovativ dhe me këtë rast Haradinaj ka shprehur falënderime për shërbimin e ushtarëve gjermanë në Kosovë.

“Edhe sot është festë, e kemi për nder që ta festojmë ditën e unifikimit. Prania ushtarake gjermane në Prizren kalon sot në prani ekonomike dhe ai kthehet në një park inovativ të biznesit dhe jam i bindur se do të jetë i rëndësishëm për marrëdhëniet Kosovë-Gjermani. Kjo prani vazhdon në KFOR, por prania ushtarake në Prizren zëvendësohet me prani ekonomike”.

Thomas Richard Silberhorn tha se ka ardhur koha t’i dorëzojnë pajisjet e tyre ushtarake për të kontribuar në rritjen ekonomike të Kosovës. Ai e vlerësoi të suksesshëm shërbimin e tyre në Kosovë duke kontribuar në stabilitetin e vendit.

Ai ka bërë të ditur se për 20 vjet, 27 ushtarë kanë dhënë jetën në Kosovë duke sakrifikuar për vendin tonë, sakrificë e cila, sipas tij, nuk ka shkuar dëm, raporton EO.

“Është privilegj t’i tregojmë publikut në Kosovë e Gjermani që aktiviteti ynë ushtarak në Kosovë ka qenë i suksesshëm në aspektin e stabilitetit.  Në 20 vitet e fundit, 27 ushtarë të ushtrisë gjermane kanë dhënë jetën në Kosovë. Si shumë familje kosovare ata janë sakrifikuar dhe sakrifica e tyre nuk ka shkuar dëm”.

Maria Flachsbarth tha se kalimi i kampit në pronësi të Kosovës  bëhet për të ndihmuar në zhvillimin e shtetit. Ajo tha se gjatë vizitës së tyre ka vërejtur potencialin e madh të rinisë kosovare, sidomos në fushën e IT-së.

Ajo bëri të ditur se tani ushtarët gjermanë zhvendosen nga Prizreni në Prishtinë.

“Dita e bashkimit të Gjermanisë bazohet në Integrimin Evropian dhe në atë që kemi arritur së bashku në Kosovë. Kjo është ditë historike në të cilën e kalojmë kampin prej shfrytëzimit ushtarak në civil. Krijojmë stabilitet dhe një ndihmë në zhvillim”.

“Dje gjatë gjithë ditës kam fituar një pasqyrë për nevojat e gjeneratave të reja. Kam parë potencialin e madh që ekziston në veçanti në fushën e IT-së.  Kam kënaqësinë që dy qeveritë do ta udhëheqin këtë park. Ushtarët zhvendosen nga Prizreni në Prishtinë”.

Të ngjashme