Kancelari gjerman pret sot në Berlin Kurtin e Vuçiqin

Prishtinë | 04 Maj 2022 | 07:57 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pritet të zhvillojnë sot një takim joformal në Berlin, që do të ishte takimi i parë i tyre pas korrikut të vitit të kaluar, shkruan Reporteri.net.

Të dy udhëheqësit do të qëndrojnë në Berlin për takime të ndara me kancelarin gjerman Olsaf Scholz.

Lidhur me takimet e sotme në Berlin, ka folur ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili ka thënë se takimet do të shërbejnë për të mbështetur bisedimet Kosovë-Serbi të udhëhequra nga Bashkimi Evropian.

“Takimet do të përqendrohen në bashkërendimin e reagimeve të mëtejshme ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë, marrëdhënieve politike dhe ekonomike si dhe bashkëpunimit rajonal”, shkroi ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde.

Ky do të jetë takimi i parë Kurti-Vuçiq që nga korriku i vitit të kaluar, kur palët janë takuar në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Nga Qeveria gjermane kanë thënë së voni se Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë përparime në procesin e dialogut.

Para takimit presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se ka tremë nga takimi i sotëm në Berlin me kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe se nuk pret bisedë të lehtë.

Të ngjashme