Haradinaj e Kabashi premtojnë rregullim të infrastrukturës në Has

Prizren | 08 Tet 2017 | 15:49 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Fshati Gjonaj i Hasit të Prizrenit ishte vendtakim i qytetarëve, të dielën, me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Kryetari i AAK-së, njëherësh kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj, ka kërkuar mbështetje me votë për kandidatin e AAK-së, Lulzim Kabashi, për të cilin tha se nuk i trembet punës.

“Qeverinë nacionale që e kemi, duhet të ketë edhe Prizreni. Po të kishte përgjegjësinë e plotë Luli, kishte me ia dalë. Ai nuk trembet nga punët”, theksoi Haradinaj.

Mes tjerash, Haradinaj ka premtuar rregullimin e shtratit të Drinit, me infrastrukturën e nevojshme në të dy anët e lumit..

Ai foli dhe për “punët intensive” që po bëhen në nivelin qendror. “Nuk do ta ndalim punën në mënyrë që qeverisja me arritë deri te qytetari… Nuk dua me na ikë djemtë për bukë të huaj”.

E kandidati për kryetar të Komunës së Prizrenit, Lulzim Kabashi, ka thënë se brengat e qytetarëve i ka vendosur në programin e tij qeverisës për 4 vitet e ardhshme.

“Unë synim kryesor e kam punësimin. Do të hap 5 mijë vende të reja të punës. Ky numër është i arritshëm; do të ndihmojmë bujqësinë dhe industrinë”, tha Kabashi.

Më tej, ai premtoi shërbime më të mira shëndetësore dhe barazi gjinore. “Në menaxhimin e drejtorive, do të jenë 50 për qind femra në menaxhimin e drejtorive”.

Përmirësim, ka premtuar edhe në shërbimet shëndetësor. “Ordinancat publike do të punojnë 24 orë”.

Kabashi premtoi edhe rritje të cilësisë në arsim në këto anë, bashkë më përmirësimin e infrastrukturës së Hasit.

Të ngjashme