Kandidati i LDK-së për Kryetar të Prishtinës: Jam apartiak, kryeqyteti duhet të ketë një menaxhim i mirëfilltë

Prishtinë | 01 Qer 2021 | 21:11 | Nga Ekonomia Online

Kandidati i LDK-së për Kryetar të Prishtinës, arkitekti Përparim Rama, ka folur për vendimin e tij për t’i hyrë garës për të parin e kryeqytetit.

Ai tha se në Prishtinë i ka mësuar gjërat fillestare, gjersa shtoi se po mundohet që ndërlidhja e tij me kryeqytetin të zhvillohet edhe më shumë.

“Jam nga Prishtina, kam lindur në Prishtinë dhe kam jetuar këtu deri në moshën 16 vjeçare, prej vitit 2004 deri tash e kam studion në Prishtinë, tash e 17 vite jam edhe në Prishtinë dhe në Londër. Prishtinën e dua me shpirt se jam prej këtij vendi dhe ma ka dhënë bazën të jem ai që jam, këtu i kam mësuar gjërat fillestare, nga familja, nga shkolla nga miqtë.”

“Për atë arsye mundohem që ndërlidhja ime me Prishtinën të zhvillohet edhe më shumë për mua dhe për të dashurit e mi, dhe për ta ndihmuar këtë vend për gjeneratat e reja, prandaj ndërlidhja ime me Prishtinën është dashni, dashni mes meje dhe Prishtinës”.

Rama tha se është apartiak dhe se nuk ka qenë kurrë politik, pasi siç thotë ai “politika është sekondare”.

“Nuk mendoj që gara për kryetar të Prishtinës është politike, më shumë është menaxhim i strukturave të kryeqytetit, është një projekt, një proces i cili duhet të menaxhohet në mënyrë të mirëfilltë. Unë jam apartiak dhe nuk kam qenë kurrë politik, politika është sekondare, mirëpo menaxhimi është primar. Si arkitekt menaxhoj projekte gjatë gjithë kohës”.

“Si ekzekutiv i kompanive të mija menaxhoj kompanitë, njerëzit, proceset prej fillimit, prej ideve deri te zbatimi i tyre. Kështu që e shoh edhe zhvillimin e Prishtinës si menaxhim, duhet të menaxhohet, të jetë një menaxhim i mirëfilltë me vizion të mirëfilltë për të mirën e qytetarëve të Prishtinës”, tha ai në Klan Kosova.

Të ngjashme