Kandidatja e AAK-së për deputete: Fryma e re politike në Aleancë i dha mundësinë rinisë

Prishtinë | 11 Jan 2021 | 19:04 | Nga Ekonomia Online

Gresa Pozhegu ka falënderuar kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, Aleanca e të Rinjëve të Kosovës dhe dega e AAK-së në Gjakovë, që ia besuan të jenë pjesë e listë së kandidatëve për deputetë.

“Ndihem e nderuar që kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, Aleanca e të Rinjëve të Kosovës dhe dega e AAK-së në Gjakovë, besuan në mua që të jem pjesë e listës plot vlera, të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës, të rreshtuar bashkë për ndryshimin e sigurt”, ka shkruar Pozhegu.

Tutje ajo tha se fryma e re politike në Aleancë i dha mundësinë rinisë, duke shtuar se është e nevojshme që Kuvendi i Kosovës të përfaqësohet nga të rinjtë.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të përfaqësohet nga një kulturë dhe frymë e re politike; plot përgjegjësi, dinjitet e përkushtim. Dua të jem zë i të gjithë qytetarëve pa dallim, duke dashur t’i përfaqësoj ata me nder, edukatë dhe kulturë të cilën e trashëgova nga të parët e vendit tim. Unë, do të punoj me përkushtim për popullin e Kosovës, jo vetëm sepse vendi im lidhet ngushtë me atdheun tim, por sepse edhe zemra ime rreh për emrin Kosovë”, shtoi kandidatja e AAK-së për deputete.

“Miq, shumë nga ju më keni përkrahur për kandidaturën time për deputete por sot duke ju falënderuar ju garantoj se do të më uroni tërë jetën, nëse tash më mundësoni të jap kontributin tim për secilin prej nesh dhe Kosovën që duam. Dua të theksoj që pretendimet e mia janë maratonike, për një jetë, në shërbim të përhershëm për kombin”, shtoi ajo.

Duke kërkuar mbështetje nga qytetarët e Kosovës, Pozhegu tha se është e përkushtuar që të krijojë mundësi më të mira për të rinjtë.

“Ne jemi të sigurt dhe të vendosur të punojmë me shumë përkushtim për të sjellë mundësi më të mira për të gjithë ne dhe fëmijët tanë. Sot, ju kërkoj mundësi, bashkim e mbi të gjitha përkrahje”, përfundoi ajo.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme