Kandiq: Nëse Serbia ka prova kundër Mehmetajt për krime lufte, le t’i dorëzojë në Kosovë

Prishtinë | 09 Jan 2020 | 12:31 | Nga Ekonomia Online

Kosovari Nezir Mehmetaj, po vazhdon të mbahet në paraburgim në Serbi. Ai u arrestua të premten e 3 janarit tek po shkonte për në Nish për një vizitë mjekësore bashkë me nënën e tij.

Për këtë ka reaguar edhe aktivistja për të drejtat e njeriut në Serbi, Natasha Kandiq, e cila ka kërkuar nga Prokuroria për Krimet e Luftës në Serbi, se nëse ka prova, t’i dorëzojë ato në Prokurorinë e Kosovës.

“Nëse ka prova që Nezir Mehmetaj të ketë bërë krime, Prokuroria për Krimet e Luftës në Serbi duhet t’i dorëzojë ato tek Prokuroria e Kosovës. Ai është shtetas i Kosovës dhe atje duhet vërtetuar nëse ai është fajtor apo i dyshuar i pafajshëm”, ka shkruar Kandiqi në Twitter, raporton Koha.net.

Kujtojmë se përmes një njoftimi për dënimin e vendimit, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka njoftuar se Gjykata në Serbi ka vendosur për paraburgim prej 30 ditësh të Nezir Mehmetajt. Vendimin për paraburgimin prej 30 ditësh ndaj Mehmetajt, që nga gjykatat në Serbi akuzohet për krime lufte kundër civilëve, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, e ka quajtur marrëzi.

“Zëvendëskryeministri i Parë, njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, dënon vendimin e Gjykatës së Beogradit për paraburgimin prej 30 ditësh të Nezir Mehmetajt. Ministri Pacolli tha se kjo marrëzi duhet të marrë fund”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Kjo ministri ka thënë se janë në kontakt me Brukselin dhe se kanë alarmuar Bashkimin Evropian për arrestimin e Mehmetajt, “si dhe praktikën e vazhdueshme nga Serbia të ndalimit të shtetasve kosovarë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme