Kastrati: A ju kam thënë që Kurti s’do Qeveri, dëshiron t’i kthehet rrugës

Prishtinë | 06 Jan 2020 | 18:29 | Nga Ekonomia Online

Profesori universitar dhe politologu Ardian Kastrati ka reaguar pas takimit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Sipas tij, po vërtetohet ajo që e ka thënë tash sa kohë se Albin Kurti nuk po dëshiron të marrë drejtimin e Qeverië së vendit.

Postimi i tij i plotë:

Qe nga 15 Tetori nëpër studio televizive e kam thënë që Kurti nuk don Qeveri për dy arsye. E para se nuk ka guximin as përvojën me udhëheq dialogun me Serbinë i cili dialog duhet të prodhojë një zgjidhje që medoemos duhet me qenë në rezonancë me objektivat e SHBA në rajon. E dyta, Kurti është i vetëdijshëm që VV nuk ka kapacitetet e as potencialet e ekspertizës që do t’i adresonin çekuilibrat socialë e ekonomikë në vend të krijuara si pasojë e keqqeverisjeve 20-vjeçare.

Rrjedhimisht, duke iu frikësuar hyrjes në dialog me Serbinë ai po e demitizon “Albini trim” dhe po na e shpërfaq Albinin e vërtetë e që bie Albini qyqar, frikacak dhe jo i gatshëm për përgjegjësi shtetërore e historike.

Kurti po ashtu po e demitizon “Albinin Hero “që përplasej rrugëve me vite duke kërkuar që hajnat mos me Qeverisë, sepse me refuzimin për bërjen e Qeverisë ai po i lejon të njëjtit që i quante “hajna” të vazhdojnë qeverisjen.

Albini po indikon që dëshiron t’i kthehet rrugës sepse tani është i vetëdijshëm që Qeverinë e bën tjetërkush.

Mirëpo kthimi në strategjinë e vjetër të protestave agresive nëpër rrugë shkakton kaos politik në këtë vend dhe kaosi i tillë në Ballkan i shkon në favor vetëm Rusisë.

Pas demitizimit që i bëri vetvetes këto ditë, vështirë që Kurti do të marrë përkrahje popullore për me vazhdu me kriju shkatërrim e kaos politik në vend.

Të ngjashme