Kastrati: Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e domosdoshme

Prishtinë | 20 Kor 2019 | 14:41 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka reaguar pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e Kryeministrit të Kosovës dhe ftesës që ky i fundit ka marrë për intervistim nga Gjykata Speciale.

Ai ka thënë se dallimet politike nuk duhet t’i ndajnë apo gëzojnë për veprimet e Gjykatës Speciale.

Përmes një postimi në Facebook, Kastrati ka thënë se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e domosdoshme. Ka thënë se ka qenë e shenjtë dhe e tillë do të mbetet.

“Destabilizimi politik e shoqëror që sulmon luftën e popullit tonë për liri përmes, ndër të tjera, thirrjes nga Gjykata Speciale për Ramush Haradinajn dhe të tjerë, nuk i shërben as ballafaqimit me të kaluarën e as drejtësisë tranzicionale. Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e domosdoshme. Askush nuk ka të drejtë as ta përdorë e as ta sulmojë atë. Ajo ka qenë e shenjtë dhe e tillë do të mbetet”, ka shkruar Kastrati.

I pari i komunës së Kamenicës ka thënë se dallimet politike nuk duhet t’i ndajnë apo gëzojnë për veprimet e Gjykatës Speciale.

“Dallimet tona politike nuk duhet të na ndajnë apo gëzojnë për veprimet e Gjykatës Speciale. Shoqëria jonë, e përfaqësuar edhe nëpërmjet subjekteve politike, duhet njëherë e përgjithmonë të ketë një agjendë të përbashkët shtetërore dhe shoqërore të cilën duhet ta ndjekim të gjithë, pavarësisht kush ka pushtet e përgjegjësi. Nuk ka rëndësi kush është sot në pushtet, apo kush fiton nesër. Vlerat dhe e vërteta jonë e përbashkët nuk mund të cenohen nga askush. Qëndrimet refleksive janë mendjengushtësi e llojit prapakthyes”, ka shkruar ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme