Katër dorëheqje nga LVV në Lipjan brenda dy ditëve

Prishtinë | 09 Sht 2022 | 16:03 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje më 1 shtator ka hapur fushatën zgjedhore për nivelin e tretë organizativ.

Por, procesi zgjedhor në partinë më të madhe në vend i ka paraprirë katër dorëheqjeve në degën e subjektit në Lipjan.

Dy anëtarët e grupit punues në qendrën e LVV-së në Lipjan, Shkëlzen Bislimi dhe Fitim Sopjani si dhe asamblistët Fadil Spahiu e Fitim Meziu kanë dhënë dorëheqje brenda dy ditëve nga partia, për shkak të pakënaqësive të tyre me degën në Lipjan.

Përmes një postimi në Facebook, Bislimi teksa njoftoi për dorëheqjen tha se LVV-ja i ka bërë padrejtësi duke ia ndaluar edhe kandidaturën për kryetar të Qendrës.

Ai po ashtu ka thënë se është sabotuar nga disa eksponent të partisë së tij.

“Sa isha anëtar i Kuvendit Komunal, tentohej të minimizohej aktiviteti im brenda kuvendit duke mos publikuar fjalimet e mia në faqen zyrtare. Aktiviteti i këtij grupi përherë e ka pasur një mbështetje nga dikush i fuqishëm në Sekretariatin e Përgjithshëm në Prishtinë”, ka shkruar Bislimi.

“Në Lëvizjen Vetëvendosje pas zgjedhjeve nacionale të 14 shkurtit, ka filluar një luftë speciale ndaj njerëzve qe kanë dhënë kontribut kaherë, ka filluar mosrespektimi i demokracisë, i fjalës së lirë, i shprehjes së ambicieve për avancim brenda strukturave. Ky alamet “aktivisti” që krenohet me shfuqizimin e demokracisë brenda organizatës gjithmonë duke iu referuar termit pezhorativ ‘Demoklacia Demoklacia’”.

Gjatë ditës së djeshme për dorëheqje nga të gjitha pozitat në LVV ka njoftuar edhe Fitim Sopjani, kryetar i LVV-së, në pikën në Sllovi dhe anëtar i Grupit Punues Qendra në Lipjan.

“Pas zhvillimeve të fundit brenda procesit zgjedhor të LVV-së, kam kuptuar që Demokracia e shfaqur në publik, nuk paska qenë brenda strukturave, në momentin kur i rrezikohet pozita një individi ose grupacioni”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndërsa, Fadil Spahiu, asamblist në Kuvendin Komunal të Lipjanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje duke thënë që partia kohëve të fundit është përballur me ‘situata aspak demokratike’, ka ofruar dorëheqjen e tij për të vazhduar si asamblist i pavarur.

“Pas një rrugëtimi të gjatë si aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, jap dorëheqje në shenjë zhgënjimi dhe mospajtimi me zhvillimet e kohëve të fundit në Qendrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Lipjan”, ka shkruar Spahiu.

“Kohëve të fundit jemi përballur me situata aspak demokratike dhe denigruese të udhëheqjes së qendrës sonë, veçanërisht të procesit të zgjedhjeve të brendshme, ku drejtuesi i Grupit Punues duke e keqpërdorur pozitën emëruese nga niveli i tretë organizativ, e favorizon një grup të ngushtë të individëve dhe duke i linçuar dhe distancuar aktivistët, anëtarët dhe simpatizantët e tjerë”.

Këto nuk janë dorëheqjet e vetme të figurave të LVV-së në Lipjan. Gjatë ditës së sotme asamblisti Fitim Mziun njoftoi largimin nga partia, ndërsa tha se arsyet kryesisht kanë të bëjnë me padrejtësitë që u bëheshin aktivistëve të denjë.

“Në zgjedhjet lokale ju bashkova ekipit të Lëvizjes Vetëvendosje duke besuar e shpresuar në një organizim të mirëfilltë brenda saj. Nga ato zgjedhje unë dola si kandidati më i votuar në listën e Lëvizjes Vetëvendosje për Kuvendin Komunal”, shkroi ai në Facebook.

“Me kalimin e kohës unë pashë padrejtësi të mëdha që u bëheshin aktivistëve me shume kontribut. Pashë e dëgjova shumë gjëra që nuk do të besoja qe ekzistonin brenda këtij subjekti në Lipjan”.

Të ngjashme