Katër gra kandidate për kryetare nga lista e PDK-së, Memli Krasniqi prezanton Ardiana Qorrajn për Deçan

Prishtinë | 25 Gus 2021 | 14:49 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka prezantuar sot kandidaten për kryetare të ardhshme të Deçanit, zonjën Ardiana Qorraj.

Kjo është kandidatja e katërt grua nga PDK për kryetare komune, pas atyre në Gjakovë, Podujevë e Gjilan.

Lideri i opozitës, Memli Krasniqi, ka shkruar në faqen e tij në Facebook se kandidatja e PDK-së për kryetare të Deçanit, zonja Ardiana Qorraj, një profesioniste e dëshmuar, është e përkushtuar fuqishëm për zhvillim të hovshëm, zbatimin e ligjit, gjasave dhe mundësive të barabarta në komunën e Deçanit.

“Parimet e saj për qeverisjen komunale, do të jenë transparenca dhe llogaridhënia, promovimi dhe zhvillimi i turizmit, duke gërshetuar trashëgiminë arkitekturore, historike, arkeologjike dhe kulturore. Ardiana Qorraj do ta bëj rikonstruktimin e qendrës së Deçanit dhe ndërtimin e rrugës transit, legalizimin e ndërtimeve dhe ndërtesave, veprime këto që rrisin mirëqenien e qytetarëve të komunës së Deçanit”, tha Krasniqi.

Edhe në këto zgjedhje, PDK ka më së shumti kandidate gra për kryetare komunash.

“PDK si çdo herë, është prijetare në zbatimin e barazisë, duke kandiduar në katër komuna me kandidate gra. Sepse, PDK motivon dhe përkrah gratë në marrjen e përgjegjësive institucionale. Sepse i beson forcës së gruas për të zbatuar ligjin.Sepse gratë meritojnë më shumë besim dhe më shumë hapësirë”, ka thënë ai.

Të ngjashme