KDI: 72 % e të rinjve thonë se Qeveria nuk përfaqëson interesat e tyre

Prishtinë | 27 Dhj 2017 | 14:14 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka kryer hulumtimin e dytë të opinionit publik në mesin e votuesve të rinj nga mosha 18 deri 22 vjeçare lidhur me sjelljet, qëndrimet dhe preferencat e tyre politike.

Nëpërmjet një konference për media, sot është bërë publikimi i të gjeturave kryesore të këtij hulumtimi, që konfirmon se problemet e të rinjve mbeten të njëjta dhe të paadresuara.

Me këtë rast Ahmet Rushiti nga KDI, ka bërë të ditur se ashtu si edhe në vitin e kaluar edhe këtë vit 61.5% e të rinjve mendojnë se gjërat në vend nuk janë duke shkuar në drejtimin e duhur.

“Pjesë e rëndësishme e hulumtimit ka qenë edhe ti pyesim të rinjtë për shqetësimit që ata i kanë dhe janë pyetur të rinjtë që t’i tregojnë 5 shqetësimet e tyre kryesore. Nga rezultatet që i kemi marr, tregon se problemet që të rinjtë i kanë nuk adresohen nga institucionet në Kosovë, qoftë në nivelin qendror e po ashtu edhe në nivelin qendror. Papunësia me 68.7%, liberalizimi i vizave me 61.9%, Shëndetësia me 57.1%, luftimi i korrupsionit me 50.2% dhe zhvillimi ekonomik 45%, paraqesin shqetësimet kryesore të të rinjve”, ka thënë ai.

Rushiti ka theksuar se të rinjve u është kërkuar që të japin një emër se kush sipas mendimit të tyre është politikan model për ta. Janë 25.2% e të anketurave që kanë thënë se nuk kanë ndonjë politikan model. “13.7% kanë deklaruar se Albin Kurti është politikan model për ata, i pasuar nga Ramush Haradinaj me 7.8%, Vjosa Osmani me 7.4%, Shpend Ahmeti me 7.3%, Hashim Thaçi me 7% dhe Kadri Veseli me 5.8%. Është edhe një numër tjetër i madh i personaliteteve që të rinjtë i kanë deklaruar, mirëpo në përqindje më të vogël”, ka bërë të ditur ai.

Kurse në pyetjen se nëse nesër do të mbaheshin zgjedhjet parlamentare, 62.6% e të rinjve kanë deklaruar se do të marrin pjesë në zgjedhje.

Ndërsa, se për kë do të kishin votuar nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin nesër sipas hulumtimit: 27.1% do të votonin LVV, 19% PDK, 18.1% LDK, AAK 11%, Nisma për Kosovën 2.7%, Lista Serbe 1.4%, Aleanca Kosova e Re, 1.2%, Alternativa 0.3%, partitë tjera 1.5%, ndërkaq kanë refuzuar të përgjigjen 17.7%.

Kurse Eugen Cakolli nga KDI, ka bërë të ditur se të rinjtë e anketuar janë pyetur edhe për punën dhe performancën e Qeverisë.

Ai ka thënë se bazuar në hulumtim puna e saj vlerësohet si e dobët dhe jo-efikase nga 70% e të rinjve të anketuar, kurse pjesa tjetër konsiderojnë që Qeveria kritikohet padrejtësisht, përkundër punës së mirë.

“71.9% e të anketuarve e shohin Qeverinë si përfaqësuese të interesave të një grupi të vogël të njerëzve, ndërsa 28.1 vlerësojnë që Qeveria punon në interesin e përgjithshëm qytetar”, ka shtuar ai.

Cakolli ka theksuar se janë shqetësuese të dhënat se vetëm rreth 15% e të anketuarve kanë deklaruar se kanë komunikuar me ndonjë politikan apo kanë marrë pjesë në ndonjë debat me zyrtarë të partive politike.

Ndërkaq ka potencuar se sa i përket arsyeve pse të rinjtë janë anëtarësuar apo do të anëtarësoheshin në parti politike, 54.9% e të anketuarve e shohin anëtarësimin në parti politike si mundësi për punësim më të lehtë.

Pyetësori ka përmbajtur rreth 50 pyetje, ndërkaq raporti përfundimtar dhe krahasimi me vitin e kaluar do të publikohen gjatë muajit shkurt të vitit të ardhshëm.

Të ngjashme