KDI reagon pas seancës së djeshme të jashtëzakonshme të Kuvendit

Prishtinë | 15 Pri 2020 | 16:53 | Nga Ekonomia Online

Instituti Demokratik i Kosovës, përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se qysh para inicimit të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, KDI u pati bërë thirrje partive politike dhe koalicionit qeverisës që të gjejnë një rrugëdalje nga kriza politike deri në tejkalimin e gjendjes së krijuar me pandeminë COVID – 19.

“Pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit, qeveria aktuale konsiderohet si qeveri në detyrë dhe si e tillë nuk mund të ndërveprojë në formë të rregullt me Kuvendin. Pasojat e mungesës së një qeverie me mandat të plotë u vërejtën dje gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit”, thuhet në njoftimin e KDI-së.

Pse është e rëndësishme të keni palestër në lagjen tuaj?
E SPONSORUAR
MËSO MË SHUMË
Seanca e 14 prillit u iniciua nga 48 deputetë për të diskutuar rreth propozimit të PDK-së lidhur me miratimin e masave konkrete ekonomike e financiare që duhet t’i ndërmarrë Republika e Kosovës, për të tejkaluar sfidat e rimëkëmbjes ekonomike dhe adresuar pasojat e pandemisë së COVID-19.

“Seanca filloi me kërkesën e propozuesit për një mocion procedural për futjen e dy projektligjeve në procedurë të shqyrtimit. Kërkesa për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme përmbante çështjen e cila do të diskutohej dhe arsyetimin pse kjo çështje konsiderohej e ngutshme. Kërkesa e deputetëve në seancë për futjen e pikave të tjera në rend dite është në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Kuvendit”, thuhet në njoftimin e KDI.

KDI ka komentuar edhe vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për leje të veçantë të qarkullimit për deputetët dhe administratën e Kuvendit

“KDI ua rikujton të gjithë bartësve të funksioneve publike se mandati dhe detyrat kushtetuese të deputetëve, si përfaqësues të zgjedhur nga qytetarët, janë të pacenueshme dhe se vendimi i tillë mund të paraqes precedent të rrezikshëm në përpjekjet për kufizimin e të drejtave të deputetëve. Nëse Kuvendi i Kosovës vendosë për zhvillimin e punimeve të tij, institucionet relevante (përfshirë edhe Ministrinë e Punës së Brendshme) duhet të zbatojnë detyrat e tyre dhe brenda mundësive të krijojnë kushtet për mbarëvajtjen e punimeve të Kuvendit”, thuhet më tej në njoftim.

KDI ka shtuar se është më se e qartë se Kuvendit të Kosovës, si organi më i lartë legjislativ, i njihet e drejta e iniciativës ligjore dhe hartimit të projektligjeve.

“Në gjendje normale të funksionimit të organeve shtetërore, këto projektligje dorëzohen në Qeveri për marrjen e mendimit të ekzekutivit, i cili nuk është i obligueshëm për Kuvendin. Në situatën e krijuar pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, vlerësojmë se Kuvendi i Kosovës duhet të frenojë ndërmarrjen e iniciativave të tilla me qëllim të shmangies së prodhimit të pasojave juridike dhe rrezikimit të sistemit kushtetues në Kosovë”, thuhet në njoftimin e KDI-së.

KDI i ka bërë thirrje Kuvendit dhe trupave të tij punues që të vazhdojnë me ushtrimin e dy funksioneve tjera kushtetuese: atë të përfaqësimit të interesave të qytetarëve dhe mbikëqyrjes së punës së ekzekutivit. Mbikëqyrja e ekzekutivit, bëhet edhe më e rëndësishme në periudha krizash, siç është rasti me pandeminë aktuale, kur merren vendime pa konsultime paraprake me publikun dhe kur shpenzohen mjete të shumta buxhetore me procedura emergjente.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme