KDI: Uniteti i brendshëm politik forcon pozitën e Kosovës në dialog

Prishtinë | 12 Shk 2020 | 09:19 | Nga Ekonomia Online

Meqë dialogu është çështje e rëndësishme, është mirë që Qeveria të ndërtojë konsensus edhe me subjektet opozitare, në mënyrë që në dialog Kosova të ketë një pozicion unik dhe shtetëror.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së në Kosovë Richard Grenell, presidenti i vendit Hashim Thaçi dhe shefi i Qeverisë Albin Kurti nuk gjenden në një vijë sa i përket pozicionit të Kosovës karshi Serbisë. Derisa Grenelli kërkon heqjen e taksës pa reciprocitet, Kurti në anën tjetër ka paralajmëruar zëvendësimin e taksës me reciprocitet të plotë ndaj Serbisë. Kurse presidenti Thaçi mbetet i bindur se ai do të vazhdojë t’i udhëheqë negociatat me Serbinë e jo Kurti, siç parashihet me Kushtetutën e vendit, shkruan Zëri.

Në anën tjetër Violeta Haxholli, nga KDI-ja, në një deklaratë për “Zërin” ka theksuar se në bazë të Kushtetutës së Kosovës kryeministri i vendit është udhëheqës i politikës së jashtme, mirëpo në koordinim me presidentin e vendit. “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka rikonfirmuar dispozitat kushtetuese sa i përket politikës së jashtme dhe përcakton që Qeveria, përkatësisht kryeministri, është udhëheqës i politikës së jashtme në koordinim me presidentin. Pra nuk ka nevojë për rivalitet, pasi Kushtetuta përcakton që politika e jashtme drejtohet nga kryeministri, në koordinim me presidentin”.
Sipas saj, nevojitet një konsensus mes kryeministrit Albin Kurtit dhe presidentit Hashim Thaçi, por edhe gjithë spektrit politik, me qëllim që Kosova të ketë një pozicion unik dhe shtetëror në dialogun me Serbinë.

Të ngjashme