Kërkesa e Osmanit ndaj Dakës për dorëheqje, Krasniqi: Orvatje për kapje të KQZ-së

Prishtinë | 14 Qer 2021 | 15:12 | Nga Ekonomia Online

Presidentja Vjosa Osmani nuk mund ta shkarkojë kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka. Kështu ka deklaruar Albert Krasniqi nga “Demokracia Plus” i cili përmes një postimi në Facebook, ka thënë se një kompetencë të tillë të Presidentit nuk e parasheh Kushtetua e Kosovës.

“Kushtetua nuk ka paraparë si kompetencë të Presidentit shkarkimin e Kryesuesit së KQZ-së, por vetëm emërimin. Shkarkimi është rregulluar me ligj, dhe janë paraparë situatat mjaftë specifike se kur mund të bëhet shkarkimi”, ka shkruar Krasniqi.

Ai më tej ka theksuar se në vend të mbrojtjes dhe garantimit të funksionimit kushtetues të KQZ-së, Presidentja po bënë të kundërtën, po e pengon atë. Krasniqi ka thënë se kjo është orvatje për kapje të KQZ-së.

Postimi i plotë:

Sipas monitorimi të NDI për shpërndarjen e lajmeve të rreme gjatë periudhës së fushatës zgjedhore në Kosovë, më së shumti shtrirje kanë pasur lajmet e pasakta që janë bërë ndaj KQZ-së.
Gjatë zgjedhjeve të fundit, kemi parë sulme, presion, dhe lajme të pasakta që për qëllim kanë pasur denigrimin e kryesueses së KQZ-së. Pjesë e kësaj fushate kanë qenë edhe tash Presidentja dhe Kryetari i Kuvendit.
Pas zgjedhjeve, KQZ ende vazhdon të jetë e pakompletuar me të gjithë anëtarët e saj ashtu siç e parasheh Kushtetuta, dhe duke shkelur afatet ligjore për emërimin e anëtarëve të KQZ-së. E gjithë kjo mjegull e krijuar për një situatë kristal të qartë, vetëm për të përmbushur ambiciet për më shumë pushtet.
Sikur këto të mos mjaftonin, sot po qarkullon lajmi se Presidentja i ka kërkuar Kryesueses së KQZ-së dorëheqjen, pa dhënë arsye se ku ka dështuar ajo në përmbushjen e mandatit të saj. Në këmbim i është ofruar mirënjohje!
Kushtetua nuk ka paraparë si kompetencë të Presidentit shkarkimin e Kryesuesit së KQZ-së, por vetëm emërimin. Shkarkimi është rregulluar me ligj, dhe janë paraparë situatat mjaftë specifike se kur mund të bëhet shkarkimi. Më e lehta për tu thirrur është “Nëse sillet ose vepron në atë mënyrë që dëmton seriozisht statusin dhe integritetin e KQZ-së”. Tash si mundet të dekorohet dikush që ka dëmtuar integritetin e institucionit, nëse kjo na qenka arsyeja e shkarkimit?!
Në vend të mbrojtjes dhe garantimit të funksionimit kushtetues të KQZ-së, Presidentja po bënë të kundërtën, po e pengon atë.
Këto ngjarje nuk mund të quhen ndryshe përveçse orvatje për kapje të KQZ-së.

Të ngjashme