Kërkohen ndryshime të Projektligjit për Pandeminë

Prishtinë | 16 Kor 2020 | 19:46 | Nga Ekonomia Online

Disa ditë pasi në mungesë kuorumi, projektligji për pandeminë nuk arriti të shqyrtohej në procedurë të përshpejtuar, Kryesia e Kuvendit, të mërkurën, këtë projektligj e ka proceduar për shqyrtim në Komisionin për Shëndetësi.

Fitim Uka, një prej anëtarëve të këtij komisioni, thotë se si Vetëvendosje do ta shqyrtojnë të njëjtin, megjithëse sipas tij, është tejet vonë që vendi të bëhet me një projektligj të tillë.

Pavarësisht kësaj, Uka thotë se ky projektligj duhet të përcaktojë më mirë çështjen e masave ndëshkuese.

Edhe anëtari tjetër i këtij komisioni, Bekim Haxhiu, thotë se janë të interesuar ta procedojnë sa më shpejt projektligjin, derisa thekson nevojën për ndryshime dhe përmirësime të tij.

Projektligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 i propozuar nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, përmban 8 nene të cilat kryesisht flasin për kufizime të lehta e lirive dhe të drejtave të njeriut, kufizime në tubime etj.

Sa u përket masave ndëshkimore, ky projektligj i referohet ligjit për luftimin dhe parandalimin e sëmundjeve ngjitëse.

Ndërsa, neni 7 i këtij projektligji parasheh që në rastet kur vlerësohet e nevojshme, atëherë FSK-ja mund të angazhohet për të ofruar ndihmën e saj.

Një javë më parë, qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti e kishte cilësuar si të panevojshëm projektligjin e Osmanit.

Përkundër opinionit negativ nga Qeveria e Kosovës, Osmani sërish tentoi që shqyrtimin e ligjit ta bëjë më ndihmën e deputetëve të Kuvendit, por që propozimi i saj nuk kaloi.

Të ngjashme