Kërkohet dorëheqja e Vitisë – Haxhiu: Ka dyshime për manipulim të numrit të vdekjeve nga Covid-19

Prishtinë | 14 Sht 2021 | 11:11 | Nga Aulona Sylaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në mbledhjen e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, opozita ka kritikuar Qeverinë për menaxhimin e situatës me pandemie. Madje në këtë mbledhje u tha se ka dyshime se ka pasur manipulime të numrit të rasteve të vdekjeve nga Coronavirusi, raporton Ekonomia Online.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se do të ishte mirë që ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të jepte dorëheqje para këtij komisoni

“Nuk preferoj që situatën me pandeminë ta diskutojmë në nivelin politik. Këtu do të duhej me na dhënë sqarime rreth eskalimit enorm të pandemisë, instituti e ministri”, është shprehur ai.

Haxhiu ka paraqitur disa grafikone në të cilat shihet rritje ekstreme e numrit të rasteve aktive dhe të vdekjeve të qytetarëve për të cilat sipas tij askush nuk ka dhënë sqarime se pse ka ndodhë kjo.

“Qeveria ka gjet kohë me shku në pushime kurse stafi shëndetësor ka 20 muaj që as në vikend nuk pushojnë”, ka shtuar ai.

“Ka pas dyshime edhe për manipulimin e rasteve me numrin e rasteve të vdekjeve. Njëherë ministria i qet  28 vdekje pas disa minutash e përmirëson 24 vdekje. Situata edhe sot vazhdon me qenë e rëndë. Ka filluar të bijnë rastet aktive por ka rënë edhe numri i testimeve”.

Ndërsa deputeti, Mirsad Shkreta nga VV-ja, ka thënë se si shoqëri nuk kemi mund të mos bëjmë politikë më pandeminë.

“Ne u ballafaquam pas verës me një rritje të infeksioneve dhe kjo na kushtoi. Duke pasë parasysh agresivitetin e variantit “Delta”, na kushtoi edhe me vdekje. Koha e gjatë e pandemisë e ka lodhë personelin shëndetësor.

Shkreta ka thënë se duhet të pranohet se ka pasur rritje të rasteve duke u bazuar në evidencë dhe jo në percepsion.

Anëtari tjetër i komisionit nga Lista “Guxo”, Haxhi Avdyli, ka thënë se është e vërtetë që gjendja është katastrofale, por kjo sipas tij po ndodhë edhe në botë, edhe në shtetet që kanë përfunduar 90 për qind të vaksinimit të qytetarëve si Izraeli.

“Është një situatë pak më e mirë se e vitit të kaluara. Meritat nuk ia jap vetëm ministrit Vitia por edhe disa punëve që ka bërë ministri Zemaj. Sot kemi kapacitet spitalor më të mirë, pacientët tanë nuk po vuajnë më për oksigjen e shtretër. Ka një përmirësim edhe të përmirësimit me furnizim të barnave”, ka thënë ai.

Avdyli ka thënë se edhe pse janë vonë me vaksina deri në fund të vitit do të arrijnë të vaksinojnë mbi 60 për qind të popullatës.

Shemsedin Dreshaj nga AAK-ja, ka thënë se ka kërkuar shumë herët personalisht vaksinimin masiv dhe vaksinimin obligativ të punëtorëve administrativ por të njëjtat po fillojnë tani të aplikohen.

“Sot nuk jemi mirë për shkak se çdo gjë e kemi bërë me vonesë. Ka pasur mundësi të veprojmë. Ky komision e ka obligim të rekomandojë se çka tutje. Kjo rënie nuk është rezultat i rënies së aktivitetit të virusit por që 1 muaj janë ndaluar aktivitetet e lokaleve dhe dasmave. Nuk janë të mjaftueshme 10 mijë vaksina me imunizua popullatën”, ka thënë ai.

Dreshaj ka thënë se kjo Qeveri duhet që sa më shpejt të miratojë Ligjin e pagave për punëtorët shëndetësor dhe t’u kthehet dinjiteti atyre.

Të ngjashme