Kërkohet harmonizimi i ligjit për barazi gjinore me ligjin bazik për zgjedhjet e përgjithshme për rritjen e kuotës në 50%

Prishtinë | 06 Mar 2021 | 11:01 | Nga Ekonomia Online

Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” thotë se është pozitive që 35 gra janë zgjedhur për të qenë pjesë e Kuvendit pa ndihmën e kuotës gjinore.

“Legjislatura e VIII e Kuvendit të Kosovës do t’i ketë gjithsej 44 deputete gra. Ky është një sukses i veçantë i këtyre zgjedhjeve. Për më tepër, kur merret parasysh se 35 prej tyre janë zgjedhur pa ndihmën e kuotës gjinore. Kjo tregon për një fillim të emancipimit të votuesit kosovar në raport me përfaqësimin gjinor. Por më shumë tregon se performanca e grave deputete ka ndikuar në thyerjen e tabuve dhe paragjykimeve për pjesëmarrjen e grave në jetën publike, politike e shoqërore”, thuhet në komunikatën e tyre.

Megjithatë ky institut thekson se pabarazia shoqërore me bazë gjininë vazhdon të jetë e madhe dhe e dëmshme.

“44 deputete prapë nuk mjaftojnë. Nëse e zbërthejmë në përqindje këto janë vetëm 36.66% e Kuvendit të Kosovës, që nënkupton se ende 63.34% e Kuvendit popullohet nga burrat. Ndërsa situata në jetën ekonomike e shoqërore në përgjithësi është shumë më e nderë”, thuhet në komunikatë.

Tutje, Instituti “Musine Kokalari” thotë se përpjekjet për barazi duhet të vazhdojnë me sanim të aspekteve diskriminuese e shtypëse ndaj grave të inkorporuara në sistemin tone shoqëror e politik dhe në traditën tonë kulturore partiarkale.

“Përpjekjet për barazi nuk përfundojnë pasiqë barazia nuk mjaftohet me përmirësim të përfaqësimit, por me sanim të aspekteve diskriminuese e shtypëse ndaj grave të inkorporuara në sistemin tone shoqëror e politik dhe në traditën tonë kulturore partiarkale. Por megjithatë barazia në institucione është një domosdoshmëri dhe pikënisje e mirë”, thuhet më tej aty.

“Në këtë drejtim, kuota prej 30% ka treguar sukses të jashtëzakonshëm, që vërehet në secilin proces zgjedhor. E veçanërisht në këtë të 14 shkurtit 2021. Prandaj është e domosdoshme që Kuvendi i ri ta ketë prioritet ndryshimin e Ligjit bazik për Zgjedhjet e Përgjithshme, më saktësisht Nenin 27 të tij, për ta vënë atë në harmoni me Ligjin për Barazi Gjinore, për ta garantuar kështu përfaqësim të barabartë gjinore në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kjo do të nënkuptonte ngritjen e kuotës në 50%, që do ta prodhonte një Kuvend me 60 deputete”, thuhet po ashtu aty.

Në fund Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” njofton se e përshëndet dhe mbështet nismën e Balkans Policy Research Group për arritjen e këtij ndryshimi dhe fton partitë politike që ta miratojnë këtë ndryshim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme