Kërkohet ligj i ri për heqjen e monopolit në homologim, ministri Lekaj mungon në seancë

Prishtinë | 28 Qer 2019 | 12:06 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Grupet parlamentare të partive politike, kanë dhënë qëndrimet e tyre në seancën e jashtëzakonshme përkitazi me procesin e homologimit të automjeteve.

Deputeti Ahmet Isufi nga AAK tha se e vetmja mënyrë për ta ndryshuar këtë gjendje është ndryshimi i ligjit për automjete.

“Është absurd nëse një automjet i ri me ardh në Kosovë dhe edhe njëherë me i hy procedurës së njëjtë nuk është në rregull dhe duhet me ligj të bëjmë sanksionimin e elementeve që po përmenden këtu. Ka përfitues që janë të lidhur me kompaninë dhe mos u fshihni. Qeveria e tashme e ka marrë këtë gjendje komplet qysh e keni pru ju”, tha ai.

Shqipe Pantina, nga grupi parlamentar i PSD-së, tha se janë kundër monopolit i cili iu ka mundësuar individëve të përfitojnë shumë nga buxheti i shtetit.

“Duhet të shikojmë për ato që kanë rëndësi, se cilat janë përfitimet që i kanë konsumatorët nëse automjetet e tyre hyjnë përmes procesit të homologimit. Sa ka ndikuar kjo që të ulet numri i aksidenteve me fatalitet.  Përfitimet kanë shkuar më shumë në xhepat e atyre që kanë pasur tashmë se në buxhetin e shteti. Jemi kundër monopolit, shteti duhet të bëjë rregulla pastaj të sigurohet në zbatimin e tyre”, tha ajo.

Ndërsa Bilall Sherifi nga grupi parlamentar i Nisma-s, tha se janë për konkurrencë të lirë, dhe se angazhohen për të rregulluar këtë fushë me ligj të veçantë.

“Jemi për konkurrencë të lirë, do angazhohemi që në të gjitha fushat të rregullojmë në këtë fushë. Mendojmë se duhet të bëhet më shumë në këtë çështje. Nuk mendoj se veç e veç në çdo fushë të rregullojmë fushën e monopolit por me një ligj të veçantë ta rregullojmë monopolin. Homologimi nëse dëshironi të hiqet do keni telashe me standardet e BE-së, sepse ata duhet të kenë shërbime të homologimit në çdo vend”, tha ai.

Armend Zemaj, nga LDK-ja kërkoi që gjatë seancës kuvendi të merr një vendim, sic tha ai “mbi këtë krim të organizuar”

“Sot kuvendi duhet ta marrë një vendim mbi këtë krim të organizuar dhe ta thotë me guxim se kjo nuk mund t’i ndodhë qytetarëve të vendit. Tek atëherë në mund të adresoheni me kritika individuale. Sa për rezoluta dhe kërkesa gojore qytetarët prapë do vazhdojnë të paguajnë nga 125 euro pa asnjë arsye edhe ata që ngasin makina me 0 te kaluara”, tha ai.

Derisa përfaqësuesit e  grupeve parlamentare kanë përfunduar diskutimet, përfaqësuesi i Qeverisë, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj nuk po merr pjesë në seancë.

 Sipas nënkryetarit Kujtim Shala ka thënë se sipas informatave ai gjendet jashtë vendit.

Të ngjashme