Kërkohet nga shteti t’iu ndihmojë delegatëve që e shpallën Republikën

Prishtinë | 02 Kor 2017 | 16:43 | Nga

Sot është shënuar 27 vjetori i Shpalljes së Republikë nga delegatët e Kuvendit të Kosovës. Deklarata Kushtetuese kishte pasuar me nxjerrjen e Kushtetutës së Kaçanikut. 32 delegatë të këtyre ngjarjeve historike kanë vdekur. Shteti i Kosovës ende nuk e ka njohur statusin e tyre.

Njëri prej delegatëve kur është shpallur Republika e Kosovës, më 2 korrik, të vitit 1990, Ilaz Ramajli, ende e kujton momentin kur 101 delegatët e Kuvendit të Kosovës ishin mbledhur dhe kishin shpallur Deklaratën Kushtetuese.

Në një bisedë për Express, Ramajli thotë se ende i ka të freskëta pamjet e kordonit policor, i cili qëndronte para delegatëve. Policët serbë, atëkohë, vetëm prisnin urdhrin për të ndaluar mbledhjen më të rëndësishme të Kuvendit të Krahinës Autonome të Kosovës.

“Ka qenë kordoni i policisë, i cili dukej se në çdo moment priste urdhrin për me na arrestua. Por, fatmirësisht nuk ndodhi dhe siç mbahet mend, Bujar Gjurgjeala udhëhoqi mbledhjen dhe Muharrem e lexoj dhe u shpërndamë”, ka thënë Ramajli.

Mbledhjen e kishte udhëhequr Bujar Gjurgjeala, ndërsa, Deklaratën e kishte lexuar Muharrem Shabani. Kjo Deklaratë nuk ishte pranuar nga asnjë shtet tjetër, por, kërkesa e shqiptarëve për pavarësi kishte marrë jehonë ndërkombëtare.

Pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, pushteti jugosllav kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, duke ndaluar funksionimin e të gjitha institucioneve të Kosovës.

Gjashtë muaj pas shpallës së Republikës, të njëjtit delegatë, kishin shkuar në Kaçanik dhe kishin shpallur edhe Kushtetutën e Republikës. Rezistenca politike e shqiptarëve ndaj pushtetit jugosllav kishte vazhduar deri në vitin 1997, kur edhe ishte themeluar Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila përmes luftës, kishte rezistuar ndaj pushtetit të Sllobodan Milloshevicit.

Delegatët që shpallën Republikën dhe Kushtetutën e Kaçanikut ende nuk kanë të rregulluar statusin e tyre me Ligj. Në përvjetorin e 27 të Deklaratës, Ramush Haradinaj, ka premtuar se delegatëve do t’ju njihet pozita e deputetit.

Por, 32 prej delegatëve të atëhershëm kanë vdekur. Ramajli thotë se ata që kanë mbetur gjallë dhe që kanë probleme sociale, Shteti e ka për obligim që si mirënjohje t’u ndajë mjete financiare.

Madje, Ramajli ka treguar se në Ligjin për Buxhetin e Shtetit, janë 300 mijë euro të ndara për Kuvendin, të cilat ishin paraparë t’u ndahen delegatëve që kanë nevojë. Por, sipas tij, Kuvendi dhe Qeveria duhet të nxjerrin ndonjë akt ligjor ose vendim për t’i ndihmuar delegatët që janë në gjendje të rëndë sociale.

“Fatkeqësisht, një numër i madh i delegatëve, prej 101 që kanë qenë nënshkrues të deklaratës Kushtetuese dhe pjesëmarrës në mbledhjen e Kaçanikut kanë vdekur. 32 prej tyre kanë vdekur. Një numër që është gjallë kanë një pozitë shumë të vështirë ekonomike dhe ka thuajse dhjetë vjet që është duke u biseduar për një lloj mbështetje materiale si mirënjohje për kontributin e tyre. Ende nuk është finalizuar”, ka kërkuar Ramajli.

Ai ka treguar se statusi i delegatëve të 90-ës ishte paraparë në Ligjin për Deputetët, por i njëjti dokument ishte pezulluar nga Gjykata Kushtetuese. Prej atëherë ka mbetur i paqartë statusi i njerëzve që shpallën Kosovën Republikën.

“Këtë vit, sa e kemi parë ne, ne buxhetin e Kosovës, janë ndarë 300 mijë euro, por nuk ka një akti juridik që e njeh statusin dhe jep një mbështetje për kontributin për delegatët që kanë nevojë. Sepse një numër i tyre nuk kanë nevojë. Por, një numër i tyre që janë kryesisht mbi 65 vjet kanë pozitë të vështirë ekonomike. Do të ishte një gjë e duhur prej cila do qeveri që është në Kosovës”, ka shtuar ai.

Delegatët e viteve 90’ta ishin dekoruar nga Presidenti Ibrahim Rugova. E njëjta dekoratë u ishte dhënë nga Presidenti tjetër, Fatmir Sejdiu.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme