Kërkohet një nxitje e re për procesin e zgjerimit të BE-së

Prishtinë | 29 Jan 2020 | 08:25 | Nga Ekonomia Online

Parlamentet e vendeve të rajonit e të Ballkanit dhe Parlamenti Evropian ndajnë të njëjtin qëndrim se e ardhmja e vendeve të rajonit është në BE dhe se procesit të zgjerimit duhet dhënë një shtytje të re.

Pajtohen po ashtu se samiti i Zagrebit, i cili do të zhvillohet në fillim të muajit maj, do të jetë një rast i mirë për këtë gjë. Po ashtu kërkojnë që ky proces të ketë një dimension më të theksuar parlamentar, pasi janë pikërisht parlamentet institucione që janë të zgjedhura direkt nga qytetarët, shkruan sot Koha Ditore.

Këto porosi kanë dalë pas një samiti në selinë e Parlamentit Evropian në Bruksel të kryetarëve të parlamenteve të vendeve të rajonit të Ballkanit dhe ai i Parlamentit Evropian, David Sasolli, me pjesëmarrjen edhe të kryetarit të Kuvendit të Kroacisë në cilësinë e vendit që kryeson BE-në në këtë moment.

Pas përfundimit të samitit, i cili u zhvillua me dyer të mbyllura, pa mundësinë e mediave që ta përcjellin, që nuk është shpesh traditë e Parlamentit Evropian, kryetari David Sasolli ka thënë se ky samit ka konfirmuar përkushtimin e fortë se Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian ndajnë të njëjtin fat.

“Ne besojmë fuqishëm se zgjerimi do të ishte i dobishëm për popullin e rajonit dhe të vendeve anëtare të BE-së dhe se mund të sjellë pajtimin aq shumë të nevojshëm në fqinjësinë tonë. Tash na takon të sigurojmë që ky vullnet të pasojë me veprime”, ka thënë Sasolli, duke iu drejtuar edhe skeptikëve në BE që kanë frikë nga procesi i zgjerimit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme