Kërkohet që të ndërpritet dialogu në Bruksel

Prishtinë | 13 Dhj 2016 | 08:19 | Nga

Ndërtimi i murit ndarës në veriun e Mitrovicës mund të shkaktojë eskalim të situatës, kështu që partitë opozitare kërkojnë të ndërpritet dialogu sa më shpejt me Beogradin.

Ndodhitë e fundit në veriun e Mitrovicës dhe mosimplementimi i marrëveshjeve të arritura mes Beogradit e Prishtinës zyrtare kanë dëshmuar se dialogu duhet të ndërpritet urgjentisht mes dy palëve në Bruksel. Njohës të çështjeve politike në vend thonë se muri në Mitrovicë po rrit tensionet mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë dhe se, sipas tyre, kjo situatë mund të jetë shkaktar i tensioneve potenciale.

Disa opozitarë thonë se zgjidhja e problemeve në Mitrovicë qëndron në largimin e ministres Tahiri apo në dorëheqjen e kryeministrit Mustafa, sipas të cilëve deri në një hap të tillë vazhdimi i bisedimeve Prishtinë – Beograd po shihet si i pakuptimtë.

Subjekti më i madh opozitar në vend, Lëvizja “Vetëvendosje”, (LVV), e vlerëson si të rrezikshëm ndërtimin e murit në Mitrovicë. Koordinatorja për Qendra në këtë Lëvizje, Teutë Rrusta, deklaron se ky veprim i tillë vjen si pasojë e negociatave në Bruksel.

“Ndërtimi i murit në Mitrovicë më së shumti e rrezikon sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, e cenon shtetësinë e saj. Ky mur, i cili vjen pikërisht si pasojë e negociatave të padrejta dhe pa kushte, e thellon edhe më shumë gjendjen e rënduar, ku është katandisur Republika e Kosovës”, ka thënë Rrusta.

Sipas saj, raportet shqiptaro-serbe i përmirëson vetëm dialogu i barabartë i institucioneve të Kosovës.(Zeri)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme