Kërkohet shkarkimi i ministrave të Listës Serbe që shkelën Kushtetutën

Prishtinë | 13 Tet 2018 | 15:03 | Nga Ekonomia Online

Ministrat që vijnë nga radhët e Listës Serbe, të cilët shkelin Kushtetutën e vendit, duhet të shkarkohen nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Njohës të rrethanave politike konstatojnë se çdo veprim antiligjor duhet të ndëshkohet nga kushdo qoftë që bënë veprime të tilla. Por, ata theksojnë se mungesa e guximit të kryeministrit për të vepruar, po u krijon komoditet ministrave dhe u jep liri për të vepruar siç dëshirojnë ata.

Ndonëse është në koalicion qeverisës lista serbe është deklaruar se nuk e njeh shtetin e Kosovës. Madje, ministrat që vijnë nga radhët e saj shpeshherë bëjnë edhe veprime antikushtetuese. E fundit ka qenë kur ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviç, kishte dalë për ta bllokuar rrugën në hyrje të Zubin Potokut, pas vizitës së presidentit Hashim Thaçi në liqenin e Ujmanit. Për analistin Ramush Tahiri, veprime të tilla duhet të ndëshkohen me shkarkime të menjëhershme nga ana e kryeministrit

“Nëse ndodhë në praktikë, ashtu edhe siç po ndodhë ku ministrat nga ajo parti marrin pjesë në protesta të ndryshme që janë antiligjore, atëherë kryeministri ka të drejt t`i shkarkojë dhe ta lërë atë vend vakant dhe të zëvendësoj me zëvendësministër nëse lista serbe nuk e dërgon një ministër tjetër”, tha Tahiri.

Mosveprimet e kryeministrit Haradinaj, për t`ua tërhequr vërejtjen ministrave të tij që vijnë nga lista serbe, e që shkelin Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, analisti Ramush Tahiri i konsideron si mungesë e guximit të kryeministrit për të vepruar në këtë drejtim.

“Për shkak të mungesës së guximit kjo nuk po ndodhë sepse gjithmonë po kemi kompromise, që po i them të turpshme. Gjithmonë po kemi bashkëbisedime edhe me faktorin ndërkombëtar për ruajtjen e qetësisë dhe jemi në këtë gjendje që po jem. Po zvarriten me dhjetëra vite problemet e njëjta pa ndonjë zgjidhje të pastër”, tha ai.

Analisti tjetër, Blerim Burjani, konsideron se mungesa e veprimit për t`i shkarkuar ministrat që shkelin kushtetutën, ka të bëjë edhe me humbjen e funksionalitetit të qeveris. Ai thekson për Radio Kosovën se vendi po përballet me një kolaps ku asnjë nga institucionet kryesore nuk funksionon ashtu siç duhet.

“Aktualisht Kosova ka probleme shumë të mëdha institucionale. Nuk ka as Kuvend funksional, por as qeveri funksionale. Prandaj duhet të gjendjet një zgjidhje për funksionimin dhe zhbllokimin e këtyre institucioneve kryesore të shtetit. Dhe nëse vazhdon kjo situatë atëherë partitë politike duhet të merren vesh dhe shteti duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, tha Burjani.

Ndërkohë, Radio Kosova ka kërkuar përgjigje nga Qeveria, nëse kryeministri Ramush Haradinaj do të ndërmarrë veprime ndaj ministrave të tij që shkelin ligjet dhe Kushtetutën. Por, lidhur me këtë zyra për informim e kryeministrit nuk ka kthyer përgjigje as pas dhjetë ditë pritjesh. /Lajmi.net/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme