Kërkohet vullnet politik për të përmbushur prioritetet e Agjendës për Reforma Evropiane

Prishtinë | 11 Nën 2019 | 12:51 | Nga Arlinda Sejdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti i Prishtinës për Studime Politike, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Instituti GAP organizuan diskutim me temën “Agjenda për Reforma Evropiane (ERA) në sektorin e punësimit, raporton Ekonomia Online.

Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës, Gerrie Willems, tha se Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe ERA janë instrumente kyçe dhe udhërrëfyese për Kosovën drejt BE-së.

“E rëndësishme për qytetarët dhe Kosovën është tema e punësimit. Shpresojmë vërtetë që ky projekt do të ketë vëmendje të agjendës si një nga veglat  për të ecur drejt  integrimit në BE. Marrëvshja e Stabilizim Asociimit dhe ERA janë instrumente kyçe dhe udhërrëfyese për Kosovën drejt BE-së. Sundimi i ligjin, qeverisja e mirë, konkurrueshmëria dhe punësimi janë tema që ndërlidhen dhe shumë të rëndësishme. Është koha të riangazhohemi në procesin integrimit evropian, koha është tani shpresoj që Kuvendi e Qeveria të konstituohen së shpejti”, tha ajo.

“Holanda ka qenë dhe do të jetë një nga shtetet themeluese të BE-së dhe do mbështesim Kosovën për këto reforma. Presim një proces gjithëpërfshirës, Kuvendi, Qeveria dhe komuniteti i biznesit etj”.

Syzana Bytyqi-Jagxhiu nga zyra e BE-së në Kosovë, tha se duhet menduar për strategji të reja dhe për atë se çfarë duhet të implementohet në këtë fazë.

“Presim që këto masa në Erën 1 çka s’është implementuar të implementohet. Duhet të mendojmë për fazën e mëtutjeshme, të mendojmë për strategji të reja. Si BE kemi disa projekte dhe shpresojmë të  kemi të dhëna makro, të shohim lëvizje mos të shohim trend negativ të kemi rritje të trendit të punës, pjesëmarrjes së grave”, ka thënë ajo.

Prezantimin e raportit “Agjencia e Punësimit të Republikës se Kosovës: Raport Monitorues” e bëri Butrint Berisha, hulumtues në Institutin e Prishtinës për Studime Politike.

“Në dy vitet e fundit tre organizata kanë bërë punë në mënyrë të vazhdueshme për implementimin e ERA-së. Prioritet mbetet sigurimi i zbatimit të ligjit mbi Agjencinë e Punësimit, përmes funksionalizimit të Agjencisë për Punësim, ndarjes së buxhetit dhe mundësisë  për tregun e punës. Agjencia e Punësimit ka 34 zyre të punësimit në katër komuna. Por nuk janë  hapur ende, Ranillugu, Parteshi, Kllokoti, Mamusha pritet të kompletojnë strukturën organizative”, tha ai, raporton EO.

“10 milionë buxheti i ndarë. Brenda kësaj shume, buxheti është për divizionin për punësim, por duke qenë se janë 110 mijë punëkërkues APRK-ja  kërkon rritje të buxhetit që mund të arsyetohet. Kërkohet që agjencia të zbatojë masa aktive me tregun e punës”.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Punësimit, Drin Haraçia, foli për rolin e BE-së  në reformat ligjore dhe institucionale.

“Sfida kryesore është ndarja buxhetore. Nuk ka munguar përkrahja e donatorëve. Për shkak të rritjes se buxhetit kemi pasur sukses për rritjen e numrit të punëkërkues, përfshirja e greve dhe të rinjve, kemi pasë programe specifike për personat me aftësi të kufizuara. Po mundohemi që ata që janë të aftë për punë t’i largojmë nga skena sociale dhe t’i bëjmë për tregun e punës. Përfshirja e grave kemi bërë të jetë mbi 43 për qind dhe mbi 27 për qind përfshirja e të rinjve”, tha ai.

“Sfidat e Agjencisë janë buxheti, ngritja e kapaciteteve, Zyrat e Punësimit janë që ekzistojnë shumë moti, stafi është i vjetër. Fokusi im do të jetë inkuadrimi i grave dhe personave me aftësi të kufizuara”, ka thënë ai.

E për sfidat e Kosovës përballë vazhdimit të Agjendës për Reforma Evropiane, foli Demush Shasha, drejtor Ekzekutiv në Institutin Epik.

“Agjenda Evropiane e Reformave është bërë jo për individin, por për shtetin. Në këtë drejtim në zbatim të agjendës është e rëndësishme a ka buxhet, por një më e rëndësishme sa ka vullnet politik. Sfida kryesore që është ballafaquar Kosova është mungesa e vullnetit të sinqertë politik. Nga 22 prioritete para tri vitesh vetëm 5 janë përmbushur plotësisht . Një numër i tyre është shkuar mbrapa. Asgjë s’mund të zëvendësoje vullnetin politik për të ndërmarrë reforma”, tha ai, raporton Ekonomia Online.

“Duhet të zvogëlohet numri, çdo numër mbi 10 është i tepërt. Cili do koalicion duhet të ketë vëmendje në një numër të kufizuar të prioriteteve. Këto reforma kushtojnë as buxheti i shtetit s’është i pafund”.

Të ngjashme