Këshilli i BE-së shpreh shqetësim për mungesë progresi në raportet Kosovë-Serbi

Prishtinë | 08 Qer 2019 | 08:20 | Nga Ekonomia Online

Tema e zgjerimit të BE-së pritet të jetë në rend dite në takimin e Këshillit të çështjeve të përgjithshme, më saktësisht të ministrave të vendeve anëtare të BE-së, më 18 qershor në Luksemburg.

Dilema e vetme është se a do të vendoset në këtë takim të nisen negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë apo jo. Kjo nuk do të dihet deri në momentin e fundit, ndonëse gjasat janë gjithnjë e më të vogla, sidomos për Shqipërinë, rreth së cilës disa shtete ende kanë rezerva, shkruan sot Koha Ditore.

Sa i përket Kosovës, pak a shumë dihet se cila do të jetë porosia nga ky takim. Tashmë janë përpiluar edhe pikat e konkluzave të draftuara për ministrat, të cilat do të miratohen në atë takim.

Pak a shumë aty do të përsëriten kritikat për Kosovën sa u përket korrupsionit dhe krimit të organizuar, politizimit të shërbimeve publike, do të përshëndetet miratimi i disa ligjeve dhe do të kërkohet edhe një herë heqja e taksave ndaj Serbisë në mënyrë që të krijohen kushte për përparim në normalizimin e raporteve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme