Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, mburojë për zyrtarët që dyshohen për keqpërdorime

Prishtinë | 28 Jan 2020 | 07:04 | Nga Ekonomia Online

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK) është kthyer në mburojë të të dyshuarve për abuzim me detyrën zyrtare. Në një shkresë, ky institucion ka fshehur dispozitat ligjore që kërkojnë sanksione për të tillët.

Shkresa është lëshuar nga Eshref Shabani, kryetar i KPMSHCK-së, i cili ka milituar për Partinë Demokratike (PDK) edhe në fushatën para zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit. Me të ai i është përgjigjur po një njeriu që ishte i përfshirë në fushatën e partisë së njëjtë, sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Bujqësisë, Kapllan Halimi, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në përgjigjen dërguar Halimit, Shabani ka nxjerrë përfundimin se “nëpunësit civilë të nivelit të lartë drejtues nuk mund të suspendohen apo pezullohen si pasojë e ngritjes së aktakuzës”.

Këtë e ka bazuar, duke u thirrur në paragrafin e tretë të nenit 75 të Ligjit për Shërbimin Civil, si dhe nenit 56 të Ligjit për Zyrtarët Publikë. Të dyja janë norma të pazbatueshme për rastin e Halimit, i cili dyshohet se është i përfshirë në rastin e ndarjes së jashtëligjshme të granteve 1-milionëshe për biznese të lidhura me politikën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme