Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së asnjë votë kundër demarkacionit

Prishtinë | 12 Pri 2017 | 22:37 | Nga

Lidhja Demokratike e Kosovës mbajti sot mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, ku diskutoi për përgatitjet për zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë vjeshtë, qëndrimet politike të LDK-së në procesin e liberalizimit të vizave si dhe çështjen e shënjimit të vijës kufitare ndërshtetërore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Kryetari i LDK-së, njëherësh kryeministër i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, para Këshillit të Përgjithshëm prezantoi punën dhe rezultatet e Qeverisë së Kosovës.

Kryetari Mustafa njoftoi të pranishmit edhe me rezultatet e punës së Komisionit për platformën zgjedhore me të cilën do të garojë LDK-ja në këto zgjedhje.

Kryetari Mustafa, ndër të tjera, theksoi se LDK-ja në këto zgjedhje lokale do të garojë me kandidatët më kredibil për kryetarë komunash dhe këshilltarë komunalë, duke u bazuar në programin politik.

“LDK-ja do të kandidojë personalitete që kanë besimin dhe përkrahjen e plotë të LDK-së, që kanë autoritet dhe përkrahje të qytetarëve, njerëz me të kaluar të pastër, pa afera korruptive dhe të pa inkriminuar në veprime jo ligjore”, tha kryeministri Mustafa, duke bërë të ditur se në këtë proces përparësi do të kenë gratë dhe të rinjtë.

Kryetari Isa Mustafa kërkoi nga anëtarët e Këshillit ta plotësojnë me mendimet dhe nevojat e tyre platformën zgjedhore të LDK-së.

Ndërkaq, gjatë diskutimeve lidhur me shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së përkrahu plotësisht liberalizimin e vizave dhe kalimin e demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, duke i hapur udhë lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian.

Nuk kishte asnjë votë kundër liberalizimit të vizave dhe demarkacionit, thuhet në një komunikatë të LDK-së.

Prandaj, u konkludua se LDK rikonfirmoi edhe një herë qëndrimin politik të Kuvendit të LDK-së për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Çdo sjellje tjetër është në kundërshtim me qëndrimet politike të LDK-së.

Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së ra dakord, po ashtu, që të rritet aktiviteti i partisë në terren dhe që LDK-ja të takohet me struktura, anëtarë dhe veçanërisht me qytetarët, për t’i parë nga afër nevojat e tyre dhe për t’i inkorporuar ato në platformën qeverisëse të LDK-së për secilën komunë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme