Këshilltari i Kurtit manipulon me raportin e Transparency Internacional për perceptimin e korrupsionit

Prishtinë | 21 Shk 2022 | 18:23 | Nga Ekonomia Online

Jeton Zulfaj, këshilltar politik i kryeministrit Albin Kurti, sot ka manipuluar publikisht me raportin e Transparency International.

Zulfaj nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook ka thënë se Kosova ka shënuar sukses të jashtëzakonshëm në luftimin e korrupsionit, duke shënuar ngritje për 17 vende në luftimin e korrupsionit, sipas raportit të Transparency International, përcjell Demokracia.com.

Por, raporti i kësaj organizate për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit në botë thotë se Kosova ka shënuar përmirësim, me 39 pikë, tre pikë më lart sesa një vit më parë.

“… ka shenuar permiresim te indikatoreve ekonomik me larte ne rajon, njejte sic ka shenuar permiresim ne sundimin e ligjit dhe ne luften kunder korrupsionit sic u deshmua me ngritjen per 17 vende ne Transparency International”, ka shkruar Zulfaj.

Megjithatë, në bazë të të dhënave të publikuara nga Transparency Interenational rezulton se Kosova edhe në vitin 2017, kur qeverisej nga LDK dhe PDK, ka qenë në të njëjtën renditje.

Në raportin e përvitshëm të publikuar nga Organizata Transparency International në fund të janarit për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit në botë, arrin në përfundimin se 86 për qind e 180 vendeve dhe territoreve kanë bërë pak ose aspak përparim në luftën kundër korrupsionit në 10 vitet e fundit.

Raporti që analizon zhvillimet e vitit të kaluar, vë theksin tek lidhja mes korrupsionit dhe nivelit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, nga vendet me më shumë korrupsion e deri tek ekonomitë e përparuara.

Sipas këtij raporti, Kosova ka shënuar përmirësim, me 39 pikë, pra me vetëm tre pikë më lart sesa në vitin 2020 dhe tani qëndron sërish në pozitën që kishte në vitin 2017.

“Në Kosovë ka pasur tranzicione paqësore pushteti mes qeverive në vitet e fundit”, thuhet në këtë raport.

Po ashtu, sipas raportit, vendi tregoi një vullnet të sinqertë për të luftuar korrupsionin, duke hetuar udhëheqës të akuzuar për korrupsion.

Kosova ishte i vetmi vend në rajon dhe një nga pesë vendet në Evropë që nuk i transferoi kompetencat vendimmarrëse tek ekzekutivi, por i mbajti në parlament.

Në 10 vite, Kosova ka pasur një rritje prej pesë pikësh, nga 34 në vitin 2012, në 39 vitin 2017 dhe sërish 39 në vitin 2021.

Të ngjashme