Këshilltari i Pacollit: Pacolli në Zvicër ka qëndruar vetëm në shtëpinë e tij, nuk ka arsye të futet në karantinë

Prishtinë | 27 Pri 2020 | 21:12 | Nga Ekonomia Online

Ardhja e Behgjet Pacollit në Kosovë, si duket po shkakton debat e po bëhet problematikë e llojit të vet në Kosovë.

Kjo pasi një pjesë e Qeverisë së Kosovës, përfshirë edhe Arben Vitinë, ministrin e Shëndetësisë, po thonë që sikur çdo qytetarë, edhe Behgjet Pacolli duhet t’i respektojë rregullat, duke u futur 14 ditë në karantinë, që janë në konviktet e Kosovës.

Por, këshilltari i tij, Jetlir Zyberaj, po thotë që Pacolli në Zvicër ka qëndruar vetëm në shtëpinë e tij, e nuk ka arsye të futet në karantinë.

“z.Behgjet Pacolli ka respektuar rreptësisht rregullat e autoriteteve zvicerane dhe ka qëndruar në shtëpinë e tij në Lugano në mbyllje në javët e fundit që nga shpërthimi i virusit. Ai nëse vjen, vjen direkt nga shtëpia e tij, me avion privat duke respektuar rregullat e udhëzuara në Zvicër.

Si del se autoritetet e Kosovës nuk kanë besim në rregullat e zbatuara nga autoritetet zvicerane?”, ka thënë Zyberaj.

Ndërsa, ka thënë që modeli që po përdoret në Kosovë për karantinë është sikur model kinez.

“Ideja për karantinë në një konvikt studentor është një model kinez që nuk është aplikuar në vendet e përparuara të Evropës”.

Të ngjashme