Këshilltari i Presidentit: Deputeti nuk i nënshtrohet asnjë detyrimi

Prishtinë | 28 Pri 2020 | 19:42 | Nga Ekonomia Online

Këshilltari i Presidentit Thaçi, Adil Behramaj, ka thënë se deputeti është përfaqësues i popullit dhe nuk i nënshtrohet asnjë detyrimi.

Për këtë, Behramaj ka reaguar ndaj Ministrisë së Shëndetësisë, e cila ka paralajmëruar se Behgjet Pacolli do të futet në karantinë nëse vendos të rikthehet në Kosovë.

Statusi i plotë i Behramajt:

Si përfaqësues i popullit, deputeti nuk i nënshtrohet asnjë detyrimi. Ai gëzon imunitet edhe ndaj masave të ndalimit, të arrestit, të ndjekjes penale, përderisa Kuvendi nuk merr vendim për heqjen e imunitetit të tij.

Këto të drejta të deputetëve i gjeni edhe në Rregulloren e Kuvendit. I gjeni edhe në Ligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, ku sipas nenit 50 të tij, ato as nuk mund të cenohen!

Por, në mënyrë më të detajuar i gjeni edhe në aktgjykimin e rastit K098/11 të Gjykatës Kushtetuese, ku qartësohet gjerë e gjatë çfarë do të thotë imuniteti i deputetëve, presidentit dhe anëtarëve të Qeverisë.

Sipas këtij aktgjykimi, deputeti nuk mund të arrestohet dhe as ndalohet përderisa është duke kryer detyrat e tij/saj si deputet, pa pëlqimin e shumicës së të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Krejt çfarë mund të bëjë Ministria e Shëndetësisë në rastin e deputetit Pacolli është t’i kërkojë me mirësjellje që t’ia bëjë analizat dhe me urgjencë t’i procedojë për rezultate sa më të shpejta, nëse deputeti Pacolli nuk posedon ndonjë dëshmi relevante që i ka bërë ato brenda një periudhe të arsyeshme kohore në Zvicër.

Ta ndalohet apo kufizohet, thjesht nuk është e mundshme. Me këtë Qeveri edhe është e mundshme, por pastaj më nuk është e mundshme, se bëhen recidivistë në shkeljen e Kushtetutës së Kosovës!

Të ngjashme