Këshilltari i presidentit i reagon Vjosa Osmanit: Karrierën politike e ke ndërtuar si shushunjë rreth e rrotull Hashim Thaçit

Prishtinë | 12 Mar 2020 | 19:23 | Nga Ekonomia Online

Këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Adil Behramaj, ka reaguar pas deklaratave të kryeparlamentares Vjosa Osmani, se bashkë me taksën duhet të hiqet edhe presidenti.

Behramaj ka ironizuar me Osmanin, duke thënë se “e paska sosur t’i japë fund karrierës së saj, sepse atë tërësisht e ka ndërtuar si shushunjë politike rreth e rrotull Hashim Thaçit”.

Ai ka thënë se Osmani “është bërë si katapultë e Vetëvendosjes brenda LDK-së”.

“Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, e cila është bërë si katapultë e Vetëvendosjes brenda LDK-së, paska thënë se bashkë më tarifën duhet të hiqet edhe presidenti. E paska sosur e gëzuara t’i japë fund karrierës së saj, të cilën e ka ndërtuar si shushunjë politike rreth e rrotull Hashim Thaçit.

Në atë moment që presidenti e lë politikën, rrafsh gjysma e Kuvendit dhe Qeverisë, përfshirë këtu edhe krerët e këtyre dy institucioneve, mbesin pa karrierë politike.

Pra, askush nuk i mban mend këta për ndonjë vizion apo ide politike, por vetëm për vrerosje kundër Hashim Thaçit.

E ardhmja e tyre politike është e vdekur pa të. Ti njëmend Vjosë mbahesh mend edhe për diçka tjetër.

Ish-presidenti Fatmir Sejdiu është presidenti i vetëm në botë që nuk e ka një fotografi të vetme me presidentët amerikanë, pa iu ngjitur prapa edhe ti si fusnotë.

Por, në një ditë të bukur, ia ktheve edhe atij shpinën. Madje, duke mos i folur më fare. Më pas nise edhe flirtin e ri politik, duke iu vardisur Isa Mustafës.

Megjithatë, as me të nuk të zgjati shumë. Në ditën kur votohej Isa Mustafa për kryeministër, ngrite dorën kundër para syve të tij. U përpoqe edhe ta rrëzoje nga posti i kryetarit. Tash dalëngadalë po heq dorë edhe nga LDK-ja, duke u bërë tërësisht një rrodhëz e Vetëvendosjes.

Dje partneri yt i ri politik, i cili u mundua të thotë diçka për pozicione ekstreme pa reflektuar fare për ekstremizmin e deritashëm të tij, pa u konsultuar fare as me LDK-në, me pafytyrësi ekstreme të caktoi ty edhe si bashkënegociuese nga radhët e LDK-së në dialog.

Por, ai, ti dhe kushdo tjetër që mendon se mund të japë kontribut, ngutuni se po ua ruajmë edhe disa vende të lira në “rimorkio”, se ky vend e ka timonierin!”, ka shkruar Behramaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme