Këshilltari i Presidentit: Kurti po frikësohet, po e orienton Qeverinë kah Lindja

Prishtinë | 08 Mar 2020 | 16:27 | Nga Ekonomia Online

PDK paradite kërkoi dorëheqjen e një ministri në Qeverinë Kurti. Tash, sulmet ndaj Kryeministrit janë zhvendosur në Presidencë. Nga atje, Këshilltari i Thaçit, Artan Behrami ka thënë se Albin Kurti po e drejton Qeverinë kah Lindja duke e braktisur kështu Amerikën.

“Meqë keni braktisur Amerikën dhe jeni orientuar kah Lindja, ja disa shembuj që mund të jenë të vlefshëm:  Gjatë negociatave për statusin e Kosovës që u mbajtën në Vjenë, Rusia, si armiku më i madh i Kosovës dhe i Amerikës, u bë pjesë e procesit pa e paragjykuar fundin e tij. Ata, gjatë gjithë kohës u përfshin në negociata, deri kur, në një ditë të bukur, Marti Ahtisaari propozoi pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën. Ai ishte momenti kur Rusia braktisi negociatat. Pjesa tjetër është histori!”, ka shkruar Behrami, në një reagim në Fb.

Sipas tij, Qeveria e Albin Kurtit po frikësohet dhe po ndikohet nga paranojat dhe paragjykimet ndaj Amerikës.

“Sot, mbi një dekadë më vonë, kemi një Qeveri në Kosovë, e udhëhequr nga paranoja dhe paragjykimet, që dëshiron të bëjë të kundërtën. Qeveria Kurti frikësohet të hyjë në një proces nga i cili mund të dalë sa herë që mendon se interesat e Kosovës po shtypen nga Amerika e tyre imperialiste!”, ka shtuar ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme