Këshilltari i presidentit thirrje Vjosa Osmanit: Thirre seancën për mocionin e ke obligim kushtetues

Prishtinë | 23 Mar 2020 | 15:53 | Nga Ekonomia Online

Adil Behramaj, këshilltarë i presidentit Hashim Thaçi ka thënë se asnjë institut dhe asnjë institucion nuk mund të jetë mbi Kushtetutën e Kosovës.  Ai ka thënë se këtë duhet të dijë edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani. Behramaj i ka bërë thirrje Osmanit që të thërrasë seancën ku pritet votimi i Mocionit të Mosbesimit ndaj qeverisë Kurti  dhe t’i lërë lojërat politike, sepse kështu e kërkon Kushtetuta.  

“Këtë duhet ta dijë edhe Vjosa Osmani, e cila i ka ditët e fundit për të dëshmuar nëse aty është për t’i shërbyer Albin Kurtit, duke e shkelur Kushtetutën e Kosovës dhe Rregulloren e Kuvendit apo për t’i ushtruar kompetencat e saj kushtetuese dhe ligjore në shërbim të të zgjedhurve të popullit dhe vetë popullit”, ka thënë Behramaj.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se Kuvendi është institucion ligjvënës, i zgjedhur drejtpërdrejt nga populli dhe jo i zgjedhur nga Vjosa Osmani.

“Përpjekjet e saj për ta vonuar Mocionin e Mosbesimit, duke i kërkuar opinion IKSHPK-së për mbajtje të seancës, drejtori i të cilës nuk guxonte të vinte as në takim me presidentin pa lejen e ministrit dhe ky i fundit, po ashtu, nuk guxonte as ta lejonte të vinte pa e pyetur kryeministrin, ua fyejnë edhe inteligjencën qytetarëve”, ka shkruar Behramaj.

Sipas tij, neni 100 i Kushtetutës së Kosovës, i cili rregullon çështjen e Mocionit të Votëbesimit, në pikën 3 thotë shumë qartë se Mocioni i Mosbesimit vihet në rendin e ditës së Kuvendit, jo më vonë se pesë (5) ditë e as më herët se dy (2) ditë nga data e parashtrimit të tij.

“Edhe Rregullorja e Kuvendit e thotë të njëjtën gjë në nenin 30. Thirre seancën kryeparlamentare dhe lëri lojërat politike, se e dinë shumë mirë që i gjithë objekti i Kuvendit, përfshirë këtu edhe sallën e seancave, është dezinfektuar para 3-4 ditësh nga ekipet profesionale, që të mund të mblidhen deputetët. Shumë qeveri e legjislatura janë rrëzuar në të kaluarën, por kurrë nuk kanë shkuar duke vajtuar kështu si ju!”, ka shkruar Behramaj.

Të ngjashme