Këshilltari i Thaçit kundër rrëzimit të Kurtit kaq shpejt, u ndal çmitizimi i tij

Prishtinë | 26 Mar 2020 | 01:35 | Nga Ekonomia Online

Këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Artan Behrami, thotë se personalisht ishte kundër mocionit të votëbesimit për Albin Kurtin.

Sipas tij, me këtë veprim, LDK-ja dhe partitë e tjera e ndalën procesin e çmitizimit të Kurtit. “Me dëshirë e kisha provuar Kurtin nëse do të mund ta jetësonte ndonjë premtim të tij- të arritshëm vetëm nga një magjistar! Prandaj, vota për rrëzimin e Kurtit e vazhdon procesin e mistifikimit të tij, aty ku u ndal 50 ditë më parë”, ka shkruar Behrami në një postim në Facebook.

“Unë nuk besoj që sot ka ndonjë njeri më të lumtur se Kurti. Ai po kthehet aty ku mund të akuzojë si tradhtar çdo të tretin minutë të gjithë ata që nuk mendojnë si ai! Aty ku nuk e ka armik Vuçiqin, por Hashim Thaçin, Isa Mustafën, Kadri Veselin, Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn”.

“Aty ku mund të shndërrohesh hero edhe vetëm duke i kritikuar të tjerët. Aty ku fjalët e tij nuk vihen në pikëpyetje as nuk kundërshtohen nga askush! Aty ku mund të shpallesh i shenjtë dhe gjeni vetëm duke rimuar!”

“Albin Kurti po rikthehet në opozitë, aty ku është vetvetja, aty ku mund të jetë sërish parashikues dhe jo kryeministër”, ka theksuar ai.

Të ngjashme