Këshilltari i Thaçit: VV-ja është parti antiamerikane, po rrezikon raportet me ShBA-të

Prishtinë | 04 Mar 2020 | 20:08 | Nga Ekonomia Online

Artan Behrami, këshilltar i presidentit Hashim Thaçi, ka reaguar ndaj deklaratës së zëvendëskryeministrit Haki Abazi, i cili tha se Amerika më shumë ka investuar në Serbi sesa në Kosovë, shkruan Gazeta Metro.

Behrami ka thënë Lëvizja Vetëvendosje është parti e cila e ka trashëgimi antiamerikanizmin, madje lideri i saj Albin Kurti është që 21 vjet kundër Amerikës.

Ai ka thënë se insistimi i partisë së Vetëvendosjes dhe cyberxhematit të tyre nëpër mediet sociale që të deklarojnë se Amerika është pro Serbisë dhe kundër Kosovës nuk është vendim politik, por reflektim ideologjik i tyre.

Postimi i plotë i Behramit:

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi, i cili me mendje është në opozitë dhe me trup në Qeveri, qenka munduar mbrëmë në “Debat Plus” t’i relativizojë investimet amerikane në Kosovë, duke thënë se Amerika po investon më shumë në Serbi sesa në Kosovë. Madje, ai edhe investimin mbi 1 miliardësh të Kosovës së Re u mundua ta zhvlerësojë.

Insistimi i parisë së Vetëvendosjes dhe cyberxhematit të tyre në mediat sociale, që Amerika është kundër Kosovës dhe pro Serbisë, nuk është tashmë vetëm qëndrim politik, por edhe reflektim ideologjik i tyre.

Antiamerikanizmi është trashëgimi politike e Lëvizjes Vetëvendosje. Lideri i saj, Albin Kurti, tash e 21 vjet, ishte kundër çdo propozimi amerikan për Kosovën. Kundër Rambujesë, që na solli lirinë dhe çlirimin, kundër procesit të Vjenës dhe kundër Pakos së Ahtisaarit, që na sollën pavarësinë.

Tani, përmes konfrontimit të hapur po del edhe kundër idesë amerikane që dialogu Kosovë-Serbi të zhvillohet në Uashington.

🇺🇸 Konfrontimi me SHBA-në është në kundërshtim me kodin gjenetik të shqiptarëve!

Të ngjashme