Këshilltari i Veselit: Mosmarrëveshjet mes Albinit e Isës nuk kanë të bëjnë me Kosovën por me pazaret e tyre

Prishtinë | 02 Dhj 2019 | 17:45 | Nga Ekonomia Online

Avni Bytyçi, këshilltar i liderit të PDK-së, Kadri Veseli, vlerëson se mosmarrëveshjet e shfaqura sot pas takimit ndërmjet liderëve të VV-së e LDK-së nuk kanë lidhje me shtetin e Kosovës por me pazaret mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës.

Ai thotë se krerët e VV e LDK po grinden se kujt po i takon më shumë pushtet.

“Edhe këtu duhet të kuptohet që pushteti, dhe vetëm pushteti është paradigma e qeverisjes së tyre. Jo mirëqenia dhe e mira ekonomike e shtetit, e as drejtësia dhe lufta ndaj korrupsionit. Por interesat e ngushta partiake”, ka shkruar Bytyçi në faqen e tij në Facebook.

Shkrimi i plotë i Avni Bytyçit:

Çka menduat?

Se Albini edhe Isa janë duke debatuar mbi modelin ekonomik dhe social të shtetit? Apo ndonjë strategji që do ta ndryshonte Kosovën?

“Koalicioni” Kurti-Mustafa nuk po arrinë që të kalojnë as hapin e parë drejt qeverisjes së përbashkët.

Ata po bëjnë pazare për interesa të ngushta të klaneve që përfaqësojnë.

Ata po grinden se kujt po i takon më shumë pushtet. Edhe këtu duhet të kuptohet që pushteti, dhe vetëm pushteti është paradigma e qeverisjes së tyre. Jo mirëqenia dhe e mira ekonomike e shtetit, e as drejtësia dhe lufta ndaj korrupsionit. Por interesat e ngushta partiake.

Atëherë si është e mundur që janë dakorduar 100% për platformën e qeverisjes pa i caktuar personat përgjegjës për zbatimin e saj.

Siç duket, sfilatat e zyrtarëve të VV-së dhe LDK-së nga skutat e hoteleve, zyrave partiake e deri tek prania ilegale në Kuvend, paskan qenë thjeshtë maskaradë.

Por i tillë ka qenë gjithemonë ky koalicion. I pantyrshem, i pasinqertë dhe mashtrues për qytetarët!

Për fat të keq, humbësit më të mëdhenj në këtë paaftësi janë qytetarët dhe shteti i Kosovës.

Të ngjashme