Këshilltari kryesor i Trumpit mbështet thirrjen për tërheqjen e trupave nëse nuk hiqet taksa

Prishtinë | 10 Mar 2020 | 13:06 | Nga Ekonomia Online

Kryeneçësia e Qeverisë së Kosovës për të mos e hequr taksën 100 % ndaj Serbisë pa kushte shtesë ka rezultuar me sinjale të qarta dhe serioze nga Washingtoni drejt Prishtinës zyrtare, shkruan Gazeta Express.

Dy njerëzit kryesor dhe të afërt të Trump, Richard Grenell dhe Robert O’Brien kanë shpërndarë qëndrimin e senatorit amerikan i cili propozon rishqyrtim të pranisë ushtarake në Kosovë në rast se nuk hiqet taksa ndaj Serbisë.

Mbrëmë senatori amerikan, David Perdue, ka thënë se SHBA’ja duhet të rishqyrtojë praninë ushtarake në Kosovë në rast se nuk hiqet taksa dhe nëse Kosova nuk tregon përkushtim të plot për paqe me Serbinë.

“Për më shumë se dy dekada, forcat amerikane kanë ndihmuar në ruajtjen e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Tani, me progresin e bërë historik, Kosova duhet të bëjë pjesën e vet dhe të shfuqizojë të gjitha detyrat e vendosura ndaj Serbisë. Nëse Kosova nuk është plotësisht e përkushtuar për paqe, atëherë SHBA-ja duhet të rishqyrtojë praninë e saj atje”, ka shkruar senatori amerikan.

E këtë qëndrim të Perdue fillimisht e ka shpërndarë emisari i Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, e më pas i njëjti qëndrim i senatorit amerikanë është shpërndarë edhe nga Këshilltari i Trump për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien përkatësisht National Security Coucnil.

Përveç pranisë ushtarake, SHBA’ja është duke shqyrtuar edhe pezullimin e fondeve qindra milionëshe në Kosovë, si pasojë e refuzimit për heqje të taksës 100 % ndaj mallrave me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Këto paralajmërime nga SHBA’të vijnë pas refuzimit të Albin Kurtit për heqje të plotë të taksës pa kushte shtesë.

Richard Grenell kishte reaguar ashpër pas vendimit të  Kurtit për heqje të pjesshme të taksës duke i rikujtuar se po bën një gabim serioz.

Të ngjashme