Këta janë 50 ish-deputetët që dështuan në zgjedhjet e 6 tetorit

Prishtinë | 05 Nën 2019 | 20:03 | Nga Ekonomia Online

Mbi 50 deputetë të legjislaturës së kaluar, nuk kanë arritur që të fitojnë sërish për t’u ulur në Kuvendin e Kosovës, shkruan Gazeta Blic.

Kësisoj, Kuvendi i ri, i cili pritet të formohet shumë shpejt, do t’i ketë rreth gjysmës së anëtarëve të rinj – të cilët nuk ishin në legjislaturën e kaluar.

Gjashtë ish-deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, Sami e Ismajl Kurteshi, Shemsi Syla, Ali Lajçi dhe Drita Millaku, sipas të gjitha gjasave nuk kanë arritur që të sigurojnë votat e nevojshme, për të qenë sërish pjesë e Kuvendit të ri.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës mandatin e deputetit nuk kanë arritur ta fitojnë disa ish-deputetë të legjislaturës së kaluar, të cilët synonin edhe një mandat.

Nga partia e Isa Mustafës, nuk arritën të rizgjidhen Ismet Beqiri, Besa Gaxherri, Imet Rrahmani, Naser Rugova dhe Mirjeta Kalludra.

Nga Partia Demokratike e Kosovës, edhe pse ishte në garë për një mandat tjetër, deputeti i gjashtë legjislaturave të Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti nuk e mori edhe një mundësi të shtatë nga populli për t’i përfaqësuar.

Nga kjo parti nuk arriti të rizgjidhej as Safete Hadërgjonaj, Evgjeni Thaçi, Fatmir Xhelili, Andin Hoti, Hajdar Beqa, Luljeta Veselaj e Xhevahire Izmaku.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi dhe Muharrem Nitaj nuk do të vazhdojnë të jenë përfaqësues të popullit në legjislativin e ardhshëm.

Në këto zgjedhje, disfatë të rëndë pësoi Partia Socialdemokrate e Shpend Ahmetit.
Asnjëri nga 12 deputetët e PSD-së që ishin deputetë në legjislaturën e kaluar, në këto zgjedhje sipas rezultateve aktuale asnjëri prej tyre nuk ka arritur të rizgjidhet në këtë post.

Njësoj ka ndodhur edhe me kryetarin e saj, Shpend Ahmeti, i cili ka arritur t’i merr vetëm rreth dy mijë vota.
Ndërsa, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, koalicioni Nisma – AKR nuk ka arritur ta kalojë pragun, kësisoj të gjithë deputetët e këtyre dy partive do të mungojnë në përbërjen e re të Parlamentit.

Pjesë e Kuvendit nuk do të jetë as ish-deputeti Labinot Tahiri, i cili ishte bërë pjesë e Grupit Parlamentar të AAK-së, përderisa në këtë parti kishte aderuar pak para zgjedhjeve, shkruan Gazeta Blic.

Ai e ka akuzuar rëndë partinë e Haradinajt, duke thënë se i janë vjedhur votat.

Ende nuk është bërë cerifikimi i rezultatit zgjedhor dhe një gjë e tillë pritet të bëhet ditëve në vijim.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, vendin e parë e siguroi Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kurse, PDK-ja e Kadri Veselit, doli në vendin e tretë, e pasuar nga koalicioni mes AAK-së dhe PSD-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme