Këta janë 67 deputetët që shpenzuan paratë e shtetit për karburante

Prishtinë | 04 Shk 2022 | 10:21 | Nga Ekonomia Online

Janë 67 deputetë të Kuvendit të Kosovës që kanë shpenzuar para të shtetit për karburante. 36 prej tyre janë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Një gjë e tillë është bërë e ditur nga Shefja e Grupit Parlamentar të kësaj partie, Mimoza Kusari-Lila.

Ajo e ka publikuar listën me emrat e 67 deputetëve që janë kompensuar dhe shumën e parave që kanë marrë për shpenzime të udhëtimit, gjatë muajit dhjetor.

Sipas kësaj liste, vetëm për shpenzime të rrugës të këtyre deputetëve për pjesëmarrje në seanca janë shpenzuar mbi 8 mijë euro, derisa për shpenzime të rrugës për pjesëmarrje në komisione janë shpenzuar mbi 5 mijë e 400 euro.

Ndryshe, të enjten është publikuar lista e dhjetra deputetëve që janë kompensuar për shpenzimet e derivateve, për arsye të udhëtimeve nga qytetet e tjera për të marrë pjesë në seancat e Kuvendit.

Sipas raportit, për periudhën nëntor-dhjetor të vitit 2021, një deputet ka shpenzuar deri në 870 euro për karburante.

Për udhëtimet e deklaruara nga Podujeva, Agim Veliu i LDK-së për dy muaj ka marrë 340 Euro, e Valon Ramadani i Vetëvendosjes nga Ferizaj 320 Euro.

Edhe për të tjera distanca relativisht të shkurtëra si Vushtrria e Lipjani, deputetët janë kompensuar për të ardhur në seanca e komisione.

Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi ka marrë 290 euro kompensim për dy muaj, ndërsa Besim Muzaqi nga Vushtrria ka marrë 170 euro.

Nga i njëjti vend, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi për periudhën kohore nëntor-dhjetor ka marrë 150 euro, ndërsa bashkëvendasja e saj, deputetja Fjolla Ujkani ka marrë 170 euro, e Gazmend Gjyshinca ka marrë 140 euro.

Ish-drejtori i Policisë, tani deputet nga radhët e PDK-së ka marrë 90 euro për udhëtimin e tij nga Lipjani.

Nga shpenzimet e publikuara nga Kanal 10 shihet se më së shumti kanë marrë deputetët që vijnë nga Gjakova e Prizreni, deri në 870 euro për dy muaj.

Më poshtë gjeni shpenzimet e secilit deputet për karburante gjatë kësaj periudhe.

Të ngjashme