Këta janë katër deputetët e LDK-së, që po e bllokojnë Vjosën të bëhet presidente

Prishtinë | 29 Mar 2021 | 21:27 | Nga Ekonomia Online

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), sot e ka mbajtur një mbledhje mbi tri orëshe në selinë qendrore të partisë.

Pas përfundimit të saj, Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së, ka thënë se për çështjen e presidentit, LDK do të jetë konstruktive.

Haziri ka thënë se roli i LDK-së në Kuvend është pjesëmarrja ose mospjesëmarrja, duke mos treguar se a ka votë LDK-ja për Vjosa Osmanin presidente. Por, për t’u bërë Vjosa Osmani presidente, mjafton vetëm pjesëmarrja e LDK-së për kuorum, pa pasur nevojë të votojnë deputetët e saj.

“Demokracia” nga burime brenda LDK-së mëson se edhe nëse LDK-ja vendosë t’ia bëjë kuorumin Vjosa Osmanit për presidente, minimalisht 3-4 deputetë të saj nuk do të qëndrojnë në sallë.

“Ka kundërshtime të njerëzve kryesorë të lidershipit të kaluar që nuk duan të qëndrojnë në sallë për ta bërë Vjosa Osmanin presidente. Edhe nëse vendosë lidershipi i ri, numri i tërësishëm i deputetëve që bëhen në sallë nuk dihet nëse arrin në 80 dhe nuk dihet nëse do të bëhet kuorumi i nevojshëm. Është e paimagjinueshme që kuorumin t’ia bëjnë Agim Veliu, Avdullah Hoti, Driton Selmanaj dhe ndoshta Arben Gashi, të cilët e shohin Vjosa Osmanin si fajtoren kryesore për gjendjen në të cilën jemi tash si LDK”, ka thënë ky burim për media.

Ditë më parë, media kishte raportuar edhe për propozimin konkret që LDK-ja i kishte bërë Vjosa Osmanit, në këmbim të votave të deputetëve të LDK-së për ta bërë atë presidente.

Asaj i ishte kërkuar që të gjithë deputetët e listës së saj t’i bashkoheshin Grupit Parlamentar të LDK-së në Kuvendin e Kosovës.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se kryetari i LDK-së do të bisedojë me Grupin Parlamentar, që përfaqësimi i LDK-së në seancë të jetë në frymën kushtetuese.

Ai ka thënë se nesër do të takohen me deputetët dhe do të dalin me qëndrimin e LDK-së për këtë çështje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme