Këtë javë mund të ketë takim në Bruksel në kuadër të dialogut

Prishtinë | 27 Sht 2021 | 14:03 | Nga Ekonomia Online

Nga burimet diplomatike në Bruksel, Radio Evropa e Lirë mëson se këtë javë, në Bruksel mund të zhvillohet një takim mes shefave të ekipeve negociatore të Kosovës dhe Serbisë.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka përsëritur të dielën thirrjen drejt palëve që të punojnë në zbutjen e tensioneve në veri të Kosovës dhe është shprehur se, një hap i parë në këtë drejtim do të ishte shkuarja e kryenegociatorëve në Bruksel.

Burimet diplomatike evropiane kanë thënë se palët, duke pranuar ftesën për shkuarje në Bruksel, por edhe duke shprehur gatishmëri që të takohen mes vete, duhet të dëshmojnë interes për të zbutur tensionet.

Ditëve të fundit, sipas burimeve diplomatike në Bruksel, nga disa qarqe është punuar në tentimet për uljen e tensioneve, por ato ende nuk kanë dhënë ndonjë rezultat pasi, siç thonë këto burime, “të dyja palët kanë mbetur me kokëfortësi në qëndrimet e tyre”.

Në kontakt me liderët e Kosovës dhe Serbisë kanë qenë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Josep Borrell, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak ndërsa të dielën për situatën në veri, me kërkesë për uljen e tensioneve, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka folur edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Burimet diplomatike në Bruksel pohojnë se nga mesi i kësaj jave delegacionet e Kosovës dhe Serbisë do të shkojnë në Bruksel dhe të jenë të gatshme të takohen mes vete.

Sipas tyre, ky do të ishte sinjal se palët janë të interesuara për të ulur tensionet. Por të njëjtat burime po ashtu thonë se presin që delegacionet të nisen me mandat të qartë për të biseduar dhe për të gjetur marrëveshje e jo vetëm për të shprehur qëndrimet e tyre.

Rrugët drejt vendkalimeve kufitare në Jarinje dhe Bërnjak janë bllokuar nga serbë lokalë me kamionë e mjete të tjera të rënda në shenjë proteste ndaj vendimit për reciprocitet lidhur me targat e automjeteve.

Protestat filluan kur Prishtina vendosi që nga 20 shtatori, të gjitha automjetet me targa serbe, që hyjnë në Kosovë, duhet t’i heqin targat dhe të vendosin targa të përkohshme të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

Prishtina ka thënë se një gjë e tillë praktikohet për vite me radhë nga Beogradi.

Të ngjashme