Këto janë vendimet e Qeverisë në mbledhjen e sotme

Prishtinë | 17 Dhj 2019 | 18:07 | Nga Ekonomia Online

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar mbledhjen e 115-të, në të cilën ka miratuar vendimet për ndarjen e mjeteve për kompensimin e shtesave për punën jashtë orarit për Policinë e Kosovës që do të hyjë në zbatim bashkë me Ligjin e Pagave dhe Rregulloren për pagat, shtesat mbi pagë dhe kompensimet tjera në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Pas diskutimit dhe shqyrtimit, është miratuar Platforma Vjetore e Politikave të Inteligjencës dhe Sigurisë.

Gjithashtu me kërkesë të Ministrisë së Financave janë miratuar kursimet dhe ndarjet në kategori të shpenzimeve të organizatave buxhetore për vitin 2019. Shuma e mjeteve në ketë vendim është mbi 47 milionë euro.

Miratimin e kabinetit qeveritar e kanë marr edhe katër vendime përfundimtare për shpronësimin e pronave të paluajtshme që preken nga realizimi i projekteve: “Ndërtimi i Parkut të Energjisë me Erë në Selac”, “Ndërtimi i Parkut të Biznesit në Skenderaj”, ndërtimi i autostradës Prishtinë-Gjilan, dhe ndërtimi i autostradës Prishtinë-Pejë.

Qeveria ka miratuar vendimin për aprovimin e rekomandimit të Komisionit të Ministrave për Ndërmarrjet Publike për bartjen e pronësisë për disa prona të paluajtshme nga Korporata Energjetike e Kosovës te Komuna e Obiliqit.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar në parim nisma për nënshkrimin e marrëveshjes financiare trepalëshe mes Bashkimit Evropian, Kosovës dhe Malit të Zi për vitin 2018, për programin e bashkëpunimit ndërkufitar, IPA II mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Me plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë për ngritjen e bustit të senatorit Robert Dol, janë ndarë mjete financiare në vlerë 12, 725.12 euro. Mjetet do të përdoren për ngritjen e bustit të Senatorit Robert Dole, në rrugën Robert Dole në Prishtinë, si shenjë respekti ndaj kontributit të Senatorit dhe raportit të fuqishëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndarje të mjeteve, në vlerë prej 390 mijë euro për shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së.

Me vendimin e miratuar nga Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme, është obliguar Ministria e Financave që nga kursimet dhe ndarjet buxhetore të këtij viti të ndajë shumën prej 2 milionë e 52 mijë euro për kompensimin e shtesave në pagë për punën jashtë orarit për Policinë e Kosovës gjatë vitit 2018.

Në mbledhjen e sotme ka marr miratimin e Qeverisë edhe vendimi për dhënien e pëlqimit që pronat e Agjencisë Pyjore të Kosovës t’i kalojnë në shfrytëzim Komunës së Suharekës për lokacion të ri të varrezave të qytetit.

Po ashtu, 12 mijë euro ka ndarë Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme për mbulimin e shpenzimeve për shërim, për rreshterin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Petrit Hasanaj.

Vendimi preliminar për shpronësimin e pronave të paluajtshme për ndërtimin e vendkalimit kufitar me Republikën e Maqedonisë, në Stanqiq të Komunës së Gjilanit, ka marr miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme.

70 mijë euro, është shuma që Qeveria ka ndarë në mbledhjen e sotme për nevojat dhe aktivitetet e Koordinatorit Nacional për Rini dhe Kulturë.

Bedri Zyberaj është emëruar në pozitën e Kryeshefit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për një mandat 3 vjeçar.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin që 350 mijë euro nga fondi rezervë të kalojnë në buxhetin e Zyrës së Kryeministrit.

Të ngjashme