Kizolli: Rritja e granteve për mikro-bizneset, do të reflektojë në shtimin e vendeve të reja të punës

Prishtinë | 21 Sht 2019 | 17:09 | Nga Ekonomia Online

Në kuadër të shpalosjes së programit dhe vizionit për përfaqësim në parlamentin e Kosovës, deputeti nga radhët e Lëvizjes për Drejtësi, Beni Kizolli, ka vizituar “Mobilerinë Desave”, në Prizren, raporton EkonomiaOnline.

Ai u njoh për së afërmi me punën, suksesin, por edhe sfidat me të cilat ballafaqohet kjo ndërmarrje prodhuese.

Kizolli këtë kompani prodhuese e ka quajtur shembull se si prodhimtaria vendore bëhet bartës të zhvillimit ekonomik në vend.

Kizolli që në zgjedhjet e 6 tetorit, së bashku me kryetarin Sylejman Çerkezi garojnë për deputetë në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, shton tutje se rritja e granateve për mikro-bizneset dhe hapja e Zonave Ekonomike me qëllim të rritjes së kapaciteteve te tyre do të reflektojë edhe në shtimin e vendeve të reja të punës.

Ky është njoftimi i tij i plotë në faqen zyrtare në Facebook:

Kënaqësi të isha sot në “Mobilerinë Desave”, ku gjetëm një mikpritje të ngrohtë. Aty e pamë një shembull se si prodhimtaria vendore bëhet bartës të zhvillimit ekonomik në vend.

Për fat të keq jemi në një situatë jo edhe aq të mirë ekonomike, kemi bilanc jo të favorshëm tregtar, jemi vend konsumator që ende importojmë shumë. Nuk do ta kishim këtë situatë po të kishim zhvillim më të fuqishëm ekonomik dhe po të kishim një situatë më të mirë sociale dhe ekonomike. Prodhuesve vendor duhen ofruar të gjitha lehtësitë dhe mundësitë që i ka shteti i Kosovës, që është obligim i Qeverisë, rritja e granteve për mikro-bizneset dhe hapja e Zonave Ekonomike me qëllim të rritjes së kapaciteteve te tyre do të reflektojë edhe në shtimin e vendeve të reja të punës.

Të ngjashme