Kjo është koha kur Rugova filloi të ketë kontakte sekrete me UÇK-në

Prishtinë | 08 Tet 2017 | 16:56 | Nga

Shkuarja e zyrtarëve të LDK-së në Shtabin e UÇK-së mbahej sekret edhe prej amerikanëve.

Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, për herë të parë kontaktet e drejtpërdrejta me UÇK-në i kishte pasur në janar të vitit 1999. Atëkohë, i deleguar i Rugovës te UÇK’ja ishte caktuar njëri prej themeluesve të LDK-së, Milazim Krasniqi.

Në Shtabin e UÇK-së, pos Krasniqit, kishte shkuar edhe Faruk Spahiu dhe ishte ndërmjetësuar nga Qazim Thaçi. Zyrtarët e LDK-së i kishte pritur Shefi i Shtabit, Bislim Zyrapi. Këto janë disa prej ngjarjeve që përshkruhen në librin e shkrimtarit Milazim Krasniqi, i titulluar “Sekretet që nuk i mori me vete Ibrahim Rugova”.

“Unë e pranova propozimin por i kërkova që me mua të vinte Faruk Spahija, i cili ishte anëtar i Kryesisë së LDK-së dhe një nga njerëzit, që edhe Rugova e konsideronte korrekt. Ai u pajtuar me propozimin tim dhe unë e organizova shkuarjen, me ndërmjetësimin e Qazim Thaçit, me logjistikën e Osman Qerretit (Komandant Çunit) dhe biseduam me Shefin e Shtabit Operativ të UÇK-së, Bislim Zyrapin, në Shtabin e tij në Berishë”, shkruan Krasniqi, në faqen 50 të librit.

‘Pasi e kaluam një natë në një shtëpi, me një grup ushtarësh të UÇK-së e ku biseduam gjerësisht për preokupimet e tyre, u kthyem në Prishtinë dhe po atë ditë i raportuam Presidentit Rugova, në shtëpinë e tij në Velani’, shkruan më tej në libër zyrtari i LDK-së që kishte takuar udhëheqjen e UÇK-së gjatë kohës së luftës.

Ky është vetëm njëri prej episodeve  të librit që flet për Ibrahim Rugovën prej fëmijërisë së tij e deri te koha e pasluftës kur Presidenti Rugova po e realizonte ëndrrën e tij për të qenë në krye të Shtetit që po lindte.

Në të njëjtin libër mund të mësoni përgjigjet në pyetjet: ”Çfarë fëmijërie pati Ibrahim Rugova? Kush e keqtrajtonte sistematikisht? Pse e ëma ia kishte bërë djepit një zgjatim dhe e kishte mbajtur dy vjet në djep?  Kush dhe pse ia ndaloi botimin e poezive, kur ishte nxënës i fillores?

Çka e kishte porositur Ibrahimin mësuesi malazez?  Cilin person nga familja e gjerë e kishte model Ibrahim Rugova? Çka mendonte Rugova për babain e vet të zhdukur? Çfarë mesazhi tronditës i erdhi për babain në vitin 1988 nga Velenja e Sllovenisë?  Çfarë shprehish kishte sjellë Rugova nga Parisi?

Çfarë mendimi kishte Rugova për intelektualët e vjetër shqiptarë të Kosovës? Cilët kolegë ia vidhnin idetë Ibrahim Rugovës dhe botonin tekste me to?  Çfarë mendimi kishte për Sali Berishën e për Alia Izetbegoviqin? Si e menaxhoi Rugova debatin për ndryshimet kushtetuese të vitit 1988? Si u soll Rugova në bisedat e shkrimtarëve në Beograd?  Cili ishte qëndrimi i Rugovës ndaj Fadil Hoxhës? Pse e vizitoi në vitin 1989? Kush e kishte njoftuar Rugovën në vitin 1990 në Uashington se do të bëhej kryetar i Kosovës dhe për ç’farë arsyeje?  Pse mendonte Rugova se “ata të malit” po i merrnin në qafë njerëzit? Cili është mendimi i saktë i Rugovës për Pjetër Bogdanin? Cili ishte qëndrimi i Rugovës ndaj enverizmit? Pse u organizuan zgjedhjet parlamentare e presidenciale të vitit 1998 dhe kush kënd e mashtroi me to?

Kur dhe pse filloi ta humbte durimin Rugova? A e takoi Rugova Zoran Gjingjiqin në vigjile të kremtimit të 600 vjetorit të Betejës së Kosovës?  Si u autorizua intervista e Rugovës me Renate Flotaun për der Shpigel? Cilat janë sekretet e Kongresit të fundit të shkrimtarëve të Jugosllavisë në Gjevgjeli?  Si u soll Rugova në takimin e parë me ambasadorin Zimerman, për çka i mbajti ligjëratë?  Cilat qenë prapaskenat e themelimit të LDK-së?  Cili ishte qëndrimi i Rugovës gjatë ditëve sa ishte peng i Millosheviqit? Cilat zhvillime patën ndikim për lirimin e Rugovës? Çka u bisedua në Shkup mes Rugovës dhe bashkëpunëtorëve të tij, pas lirimit të tij nga Millosheviqi? Si u soll Rugova pas luftës me miqtë dhe me bashkëpunëtorët e vet të afërt? Kush e kritikonte për gjallje, ndërsa e mbron Rugovën e vdekur dhe pse? Cili është Rugova i mitizuar dhe cili është Rugova i vërtetë?

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme