Knut Abraham: Mungesa e perspektivës realiste nga BE-ja, i jep Rusisë hapësirë për ta destabilizuar Ballkanin

Prishtinë | 04 Mar 2022 | 08:20 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Bundestagut: Rusia synon të destabilizojë vendet që aspirojnë BE-në, pranimi i Kosovës në KE do të dërgonte një sinjal në këtë krizë.

Deputeti i Bundestagut, Knut Abraham, në një intervistë ekskluzive për Ekonomia Online, ka thënë se ekziston rreziku real që Rusia, pas Ukrainës, të përpiqet ta destabilizojë gjithë Ballkanin.

Sipas Abraham, Rusia ka treguar vitet e fundit se në mënyrë aktive kërkon të destabilizojë vendet që aspirojnë integrimin në BE. Për të parandaluar këtë, sipas tij, përgjigja duhet të jetë një politikë shumë më aktive dhe më e besueshme e BE-së ndaj të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Sot fatkeqësisht duhet të konstatojmë se procesi i zgjerimit të BE-së ka humbur besueshmërinë. Raportet për shtetet të Komisionit Evropian tregojnë qartë se procesi është në një krizë të thellë dhe se aktualisht nuk ka asnjë motivim për reforma”.

“Mungesa e perspektivave realiste të BE-së i jep Rusisë hapësirë për të destabilizuar rajonin. Ky rrezik ekziston. Por, ne nuk duhet ta lejojmë këtë. Qeveria gjermane gjithashtu duhet të veprojë shumë më mënyrë proaktive dhe kreative”, ka theksuar anëtari i Unionit Kristian Demokrat (CDU).

Abraham është, po ashtu, anëtar i delegacionit gjerman në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE). Ai shërben në Komisionin për Çështje Juridike dhe të Drejtat e Njeriut.

Para disa ditësh, ai kërkoi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, megjithëse Kosova ende nuk është njohur nga pesë shtetet e BE-së.

Duke e shpjeguar më tej propozimin e tij, Abraham thekson se kjo ka të bëjë edhe me dërgimin e një sinjali, në këtë krizë aktuale, dhe pranimi i Kosovës nuk varet nga pesë vendet mosnjohëse.

“Për anëtarësim kërkohet një shumicë prej dy të tretash në Komitetin e Ministrave (31 vota). Nga 46 shtetet e Këshillit të Evropës, 34 e kanë njohur tashmë Kosovën. Tani duhet të mbështesni edhe pranimin e Kosovës për të treguar se Këshilli i Evropës mbetet një institucion i rëndësishëm që bashkon demokracitë evropiane të përkushtuara për të drejtat e njeriut”, shprehet ai.

Ndërsa i pyetur rreth mundësisë së anëtarësimit së Kosovës në NATO, pas situatës në Ukrainë, Abraham nuk beson se kjo mund të ndodhë shpejt. “Për anëtarësim kërkohet unanimiteti, që në rastin e Kosovës unanimiteti mbetet një sfidë”.

Por, ai thekson se BE-ja dhe NATO-ja mund të garantojnë sigurinë e Kosovës pa u anëtarësuar në NATO. “Perspektiva e BE-së është jashtëzakonisht e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

INTERVISTA E PLOTË:

Ekonomia Online: Kosova tash e disa vjet është shndërruar në një fushëbetejë ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë. A ka rrezik që Rusia do të mundohet ta destabilizojë Kosovën?

Knut Abraham: Rreziku nuk është vetëm për Kosovën, por për të gjithë Ballkanin. Rusia ka treguar vitet e fundit se në mënyrë aktive kërkon të destabilizojë vendet që aspirojnë integrimin në BE. Për të parandaluar këtë në Ballkanin Perëndimor, përgjigja duhet të jetë një politikë shumë më aktive dhe më e besueshme e BE-së ndaj të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo politikë e BE-së aktualisht nuk ekziston. Kjo i mundëson Putinit të destabilizojë potencialisht rajonin.

Sot fatkeqësisht duhet të konstatojmë se procesi i zgjerimit të BE-së ka humbur besueshmërinë. Raportet për shtetet të Komisionit Evropian tregojnë qartë se procesi është në një krizë të thellë dhe se aktualisht nuk ka asnjë motivim për reforma. Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Mali i Zi është duke negociuar me BE-në që nga viti 2012 dhe Serbia që nga viti 2014, por pa ndonjë progres real. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria morën statusin zyrtar kandidat në 2005 respektivisht në 2014 dhe kanë ngecur për vite me radhë.

Në rastin e Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës, është ende e paqartë nëse dhe kur do të fillojnë negociatat. Mungesa e perspektivave realiste të BE-së i jep Rusisë hapësirë për të destabilizuar rajonin. Ky rrezik ekziston. Por ne nuk duhet ta lejojmë këtë. Qeveria gjermane gjithashtu duhet të veprojë shumë më mënyrë proaktive dhe kreative.

Ekonomia Online: Në Bundestag ju keni kërkuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Por Kosova ende nuk është njohur nga pesë shtetet e BE-së. A është koha që edhe këto shtete të bëjnë një hap përpara?

Knut Abraham: Sigurisht që do të ishte e rëndësishme që edhe këto vende ta njohin Kosovën. Por ka të bëjë edhe me dërgimin e një sinjali në këtë krizë aktuale që nuk varet nga këto pesë vende. Për ta thënë troç: nëse 34 shtetet e Këshillit të Evropës që e kanë njohur tashmë Kosovën nuk janë as të gatshme për pranimin e saj, atëherë njohja nga të pestët ka edhe më pak gjasa. Për anëtarësim kërkohet një shumicë prej dy të tretash në Komitetin e Ministrave (31 vota). Nga 46 shtetet e Këshillit të Evropës, 34 e kanë njohur tashmë Kosovën. Tani duhet të mbështesni edhe pranimin e Kosovës për të treguar se Këshilli i Evropës mbetet një institucion i rëndësishëm që bashkon demokracitë evropiane të përkushtuara për të drejtat e njeriut.

Ekonomia Online: Pas situatës në Ukrainë, a duhet të anëtarësohet Kosova në NATO?

Knut Abraham: NATO është një aleancë mbrojtëse. Ukraina dhe Gjeorgjia aplikuan të dyja për anëtarësim në NATO në vitin 2008, por deri më tani kjo nuk ka ndodhur. Megjithatë, për anëtarësim kërkohet unanimiteti, që në rastin e Kosovës unanimiteti mbetet një sfidë. Perspektiva e BE-së është jashtëzakonisht e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. BE-ja dhe NATO-ja tashmë mund të garantojnë sigurinë e Kosovës pa u anëtarësuar në NATO. Nuk duhet të ketë dhunë në Ballkanin Perëndimor.

Ekonomia Online: Kosova është i vetmi vend pa liberalizim të vizave, a duhet ta përmbushë BE-ja këtë premtim?

Knut Abraham: Patjetër. Liberalizimi i vizave është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Kosovën dhe qeveria gjermane duhet të punojë në BE për të siguruar që kjo të ndodhë sa më shpejt.

Ekonomia Online: Parlamenti Evropian miratoi kërkesën e Ukrainës për anëtarësim në BE. A duhet të ketë një dinamikë të re në anëtarësimin e Ballkanit në BE?

Knut Abraham: Ajo që nevojitet është një politikë e zgjerimit të BE-së që të jetë e besueshme, të motivojë reformat në rajon dhe, mbi të gjitha, të ketë synim pranimin e vendeve në BE pasi të plotësohen të gjitha kushtet. Kjo politikë aktualisht nuk ekziston. Kjo është arsyeja pse unë mbështes idenë për t’u ofruar të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor hyrjen në tregun e brendshëm të BE-së si pjesë e një procesi me dy hapa, me qëllimin përfundimtar që të mbetet anëtarësimi i plotë në BE. BE-ja ia bëri këtë ofertë Finlandës në vitin 1989. Më 1994 Finlanda u bë më pas pjesë e tregut të brendshëm të BE-së, duke përfituar nga lëvizja e lirë e mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit (“katër liritë”) derisa u bë anëtare e BE-së një vit më vonë. Një ofertë e tillë për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, do të krijonte një dinamikë të re dhe do të përshpejtonte afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.

Ekonomia Online: Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe as nuk e ka kritikuar pushtimin e Ukrainës. Si e shikon Berlini këtë situatë?

Knut Abraham: Nëse Serbia dëshiron të anëtarësohet në BE, atëherë duhet të jetë gjithashtu e gatshme të mbështesë sanksionet e BE-së kundër agresorëve si Rusia. Nëse Serbia vendos kundër, Beogradi duhet të jetë i vetëdijshëm se kjo nuk do të ndodhë pa pasoja. BE-ja nuk ka qenë aq e bashkuar në politikën e jashtme sa është në situatën aktuale për një kohë të gjatë. Prandaj, qeveria serbe duhet të mendojë me kujdes se në cilën anë dëshiron të jetë. Në këtë kontekst, e mirëpres faktin që Serbia dje në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së u shpreh pro rezolutës kundër Rusisë dhe shpresoj që tani do të pasojnë sanksionet e nevojshme. Edhe Zvicra, e cila ka një traditë të gjatë neutraliteti, tani i është bashkuar qëndrimit të BE-së.

Ekonomia Online: Gjermania e ka ndryshuar për 180 shkallë politikën e mbrojtjes, por edhe politikën e jashtme ndaj Rusisë. Si do të reflektohet kjo në Ballkanin Lindor?

Knut Abraham: Ne duhet të ndërmarrim urgjentisht iniciativa diplomatike që e bëjnë një konflikt të ri të armatosur atje (në Ballkan) po aq të paimagjinueshëm sa në vetë BE-në. Kjo mund të arrihet vetëm përmes integrimit të besueshëm dhe realist të të gjashtë shteteve në BE, që ende nuk ekziston. Kjo duhet të ndryshojë shpejt.

Të ngjashme